Situata dhe trajtimi i emigrantëve në Greqi ka filluar të marrë përmasat e një krize humanitare. Kështu thuhet ndër të tjera në raportin e Amnesty International, titulluar "Fundi i rrugës për refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët", i cili tregon imazhin e Greqisë në lidhje me trajtimin e azilkërkuesve dhe emigrantëve. 

Përfaqësuesit e AI vëzhguan kushtet e paraburgimit ku "trajtimi ishte çnjerëzor dhe degradues" dhe vunë në dukje edhe rritjen dramatike të rasteve të sulmeve raciste. 

"Kriza e thellë ekonomike dhe rritja e shpejtë e ndjenjave ksenofobike, po bën që Greqia të mos arrijë të ofrojë as kushtet minimale të sigurisë dhe strehim, për mijëra azilkërkues dhe emigrantë, që mbërrijnë çdo vit në këtë vend", thotë John Ntalchouizen, Drejtor i Programit Amnesty International për Evropën dhe Azinë Qendrore. 

Në raport shënohet se autoritetet greke kanë mungesë të theksuar stafi dhe burokraci pa fund, sa i përket pajisjes së emigrantëve me dokumentet e duhura, ndërsa policia thotë se "menaxhon vetëm rreth 20 njerëz në një ditë të vetme të javës, të shtunave, kur kryhet ky shërbim” 

Amnesty International u takua me dhjetëra azilkërkues një të shtunë në seksionin e Policisë së Atikës për të huajt. "Burrat dhe gratë ishin ulur ose shtrirë në baltë dhe mbeturina, ndërsa disa ishin atje për dy ditë ose më shumë, duke pritur”, thuhet në raport. Shumë azilkërkues dhe fëmijët e tyre shpesh të pashoqëruar mbeten pa strehë ose janë të detyruar të jetojnë në një banesë të mjerueshme. 

Në korrik dhe gusht 2012 Amnesty International ka vizituar disa qendra të paraburgimit në Athinë dhe shkollën e policies në Komotini, të cilat përdoren për të strehuar emigrantët. Amnesty International, arriti në përfundimin se “trajtimi i tyre ishte çnjerëzor dhe degradues".