Reagime ndaj shkrimit me titull “Dhorka”
Një foto e rrallë e Thoedhora Koços me “Partizanin”

Nga Bujar Qesja
Shkrimi i publikuar para disa ditësh, me titullin e thjeshtë dhe kuptimplotë “Dhorka”, vazhdon të ketë jehonë në rrjetet sociale. Komentet dhe klikimet vijojnë me itensitet, ç’ka tregon reputacionin e jashtëzakonshëm të volejbollistes nga më të mirat e vëndit Dhorka Koços. Në shkrim tregohet jeta sportive dhe jo e tillë e Dhorkës dhe shkarazi përmëndet edhe ekipi i femrave të “Partizanit”.

Amos Dojaka, një biznesmen i njohur, por njëherazi edhe Kryetar i Komunitetit Hebre në Shqipëri, është djali i Harun Dojakës, një nga portretet më të spikatura të volejbollit shqiptar. Haruni është lindur në Sarandë me 25 nëntor 1929 dhe është ndarë nga jeta me 5 maj 2013 në Ashdod të Izraelit. Jeta e tij ka patur ulje dhe ngritje, si pasojë e origjinës çame dhe e të qënurit nipi i Teme Sejkos.

Por veprimtaria e Harun Dojakës, është aktive dhe në funksion të zhvillimit cilësor të volejbollit shqiptar. Në fakt Dhorka një foto ka këtu me “Partizanin”, por historinë do ta marrim siç ka ndodhur. “Partizani” i Harun Dojakës, me protogoniste edhe Dhorka Koçon në periudhën 1973-1977, pas 20 vitesh kalon nga kategoria e dytë në të parën. Dhe me Dhorkën, është lidhur tjetër dukuri e veçantë si me “Lokomotivën”. Ndikon në daljen e këtyre dy ekipeve në kategorinë e parë dhe duke e vendosur veten jo vetëm në pozicionen e kampiones së vëndit si me “Skëndërbeun”, por edhe në atë të largimit nga prapambetja të dy ekipeve me zë si “Partizani” dhe “Lokomotiva”.

Amosi na dërgon edhe fotografinë e “Partizanit” që drejtohet nga i jati Harun Dojaka dhe ku duket qartë edhe prezantimi i Dhorka Koços. Duhet të jetë viti 1973. Haruni e nis sportin si volejbollist, atlet, notar dhe vaterpolist me Sarandën, për të ardhur në ekipin e “17 nëntorit”. Më caktohet trajner i ekipit të femrave të volejbollit të “17 Nëntorit” në periudhën 1961-1970, ku fiton shtatë tituj kampionë dhe 4 Kupa Republike. Nga 1970-1972 drejton “Dinamon”, duke e nxjerrë nga prapambetja dhe deri në 1977 komandon drejt niveleve ekipin e femrave të volejbollit të “Partizanit”. Këtu rinis lufta politike e sistemit, duke ia brengosur shpirtin e thyer zemrën, këtij Dojake të fortë dhe të papërkulur të volejbollit.

Me çlirimin shpirtëror të shqiptarëve, Harun Dojaka tashmë 63 vjeçar shpërngulet në qytetin izraelit të Ashdod-it, ku punon për 20 vite me volejbollin e këtij shteti të përparuar. Edhe largimi nga jeta, i erdhi në shpjegimin figurativ, me topin e volejbollit në dorë.

Miqësisht dhe në nxitje të besnikërisë ndaj formateve historike, bëmë këtë rezume për prezantimin e Dhorka Koços me ekipin e “Partizanit”, drejtuar nga specialisti i mirfilltë dhe i mirnjohur i volejbollit shqiptar, i miri dhe i përkushtuari, babai i mikut tonë Amosit -Harun Dojaka.

Dhe kur ngarkesa politike ra mbi Harunin tonë, ai nuk u tërhoq. I biri, Amosi luajti volejboll edhe për të jatin, duke realizuar një performancë befasuese. U aktivizua me “ 17 Nëntorin” dhe “Studentin” dhe angazhohet në lojë edhe në volejbollin gjerman dhe izraelit.

Homazh për Harun Dojakën! Konfirmim edhe njëherë, i klasit të lartë të volejbollistes Dhorka Koço, heroina e shkrimit tonë të fundit. Falenderim edhe për Amos Dojakën, për këtë sygjerim të sinqertë dhe me nota miqësore, për të mbajtur gjithnjë të freskët historinë e volejbollit, ku pa dyshim një kurorë krenarie më vete mbetet edhe i paharruari Harun Dojaka.

Durrës: 21 qershor 2022