VATIKAN, 13 shkurt 2013 – Vatikan, Vatikrim, Vatileaks: a është zemra e Kishës Katolike në fakt një fole gjarpërinjsh? A janë në Romë në pushtet forca të errëta, që lajnë duart me çdo Papë, që nuk u shkon për shtat?

Kisha Katolike numëron 265 Papë në historinë e saj 2000 vjeçare, por jo të gjithë pasardhësit e Pjetrit ishin shenjtorë. 30 vdiqën si martirë, katër në mërgim ose në burg, gjashtë u vranë, njëri madje në krevat nga burri i të dashurës. Përsëri e gjithmonë dëgjojmë për thashetheme dhe skandale, madje edhe për krime.

Vatikan, Vatikrim, Vatileaks: a është zemra e Kishës Katolike në fakt një fole gjarpërinjsh? A janë në Romë në pushtet forca të errëta, që lajnë duart me çdo Papë, që nuk u shkon për shtat? Gjithmonë e më qartë zbulohet një betejë e hidhur për pushtet në Kolegjin e Kardinalëve. Ka dy kampe, që punojnë kundër njëri-tjetrit, natyrisht të mbuluar, por të ndarë në aleanca dhe intriga.

Edhe gjatë drejtimit të Papa Benediktit XVI, ato u përpoqën që të shtyjnë përpara interesat e tyre. Menjëherë pas zgjedhjes, Benedikti vendosi në postet kyçe njerëzit e besuar, si për shembull, Tarcisio Bertone. Ai mori përsipër si Sekretar i Shtetit politikën dhe diplomacinë.

Beteja mes të besuarve të Papës dhe kundërshtarëve të tij shpaloset hapur nga kriza në bankën e Vatikanit, IOR. IOR administron një pasuri gjigande, rreth 10 miliardë euro, mes të cilave pasuri të patundshme në mbarë botën. Kaq shumë para janë padyshim të rrezikshme edhe për njerëzit e Kishës. Pas thashethemeve të këqija për pastrim parash dhe kontakte me mafien, Papa dërgoi në vitin 2009 ekspertin e ekonomisë, Ettore Gotti Tedeschi për të vënë rregull në brendësi të IOR-it. Por mbikëqyrja dhe rregullat e tij për transparencë injorohen shpesh, dhe në vitin 2012, pas përplasjeve me Bertonen, ai jep dorëheqjen.

Të nesërmen fluturon nga detyra mazhordomi Paolo Gabriele. Paolo kishte hyrë vjedhurazi në dhomën private duke marrë materiale nga tavolina e Papa Benediktit XVI. Pasi kontrollonte me sy disa herë, futej pa zhurmë brenda, duke bërë punën e tij. Lexonte letrat private, studionte dokumentet sekrete, hapte sirtarët. Dokumentet më të rëndësishme i fotografonte. Pastaj i vendoste sërish të gjitha letrat në vendet e tyre me kujdes dhe largohej nga dhoma.

Paolo Gabriele është dënuar, por punëdhënësit e tij mbeten të panjohur për publikun deri më tani. A i ka treguar ai ato për policinë? A i njeh Benedikti emrat e tyre? Letrat që ai kishte vjedhur flisnin kryesisht për makinacionet e dyshimta të Bankës së Vatikanit. Ajo bankë që dikur ishte implikuar në një komplot të dyshimtë për vrasje.

Dhe thashethemet nuk reshtin. Një plan për të hetuar pastrimin e parave duket se i ka kushtuar edhe jetën Papa Gjon Palit I. Ishte 29 shtator 1978, ora pesë e mëngjesit. Murgesha që kujdesej për Papën, Motër Vincenza, futet në dhomën e gjumit të tij. Ajo ishte e shqetësuar pasi një natë më parë, Papa, që kishte vetëm 33 ditë në detyrë, ishte ankuar për kollë dhe dhimbje. Përpara syve i shfaqet Papa, i shtrirë në krevat, me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë dhe me një dokument në dorë, por ai është i vdekur pas një ataku kardiak. Kështu shkruhet në certifikatën e vdekjes. Por për shkak se familja dhe Vatikani e refuzuan një autopsi, lulëzuan teoritë konspirative.

Anglezi David Yallop shkruante në vitin 1984 se Papa ishte helmuar, pasi kishte rënë në gjurmë të makinacioneve të korruptuara të Bankës së Vatikanit. Si vrasës, ai akuzonte kardinalin francez Jean-Marie Villot. Ai e kishte vrarë Papën, që donte ta shkarkonte, me një helm në pije. Vetë Kardinali do deklaronte më vonë se Papa kishte marrë më shumë mjekim nga sa duhej. Është një nga këto krime që tregon se jo vetëm në Mesjetë, por edhe sot në Vatikan ka skandale, afera dhe lojëra për pushtet, që nuk e lënë të qetë shtetin e vogël.

Ndoshta janë pikërisht këto që i kanë shterur fuqitë Papa Benediktit XVI. Fuqi që tani i mungojnë.

Shkruar nga Josef Nyary, BILD