Surprizat ishin të pranishme në javën e parë të Kategorisë Superiore, që ka nisur ndoshta jo me gazin në maksimum por që dha sinjale se cfarë kampionati do të presim. Ajo që bie në sy është se 90 minutat e para të këtij sezoni nuk dhuruan asnjë barazim, me 3 fitore vendase ditën e shtunë dhe dy suksese në transfertë të dielën.

Në 5 sfida u shënuan 10 gola, u dhanë 3 penallti, një karton i kuq si dhe u shënua autogoli i parë sezonal. Nëse triumfi i Skënderbeut, Kukësit, Teutës dhe deri diku Vllaznisë ishte i pritshëm, ajo që befasoi ishte humbja e Partizanit.

Që Laci është një kockë e fortë kjo dihet, por askush nuk e kishte menduar që të kuqtë do të dilnin pa pikë në sfidën hapëse përpara publikut të tyre. Pikërisht kryeqytetasit ishin stonimi i kësaj jave të parë, jo vetëm për rezultatin por edhe lojën e zhvilluar.

Kukësi ishte një tjetër skuadër që nuk bindi në lojë pavarësisht se mori atë që kërkoi, suksesin në ndeshjen e parë të kampionatit. Surpriza më e këndshme ishte Laci me suksesin e arritur, duke konfirmuar atë që në ambientin kurbinas e theksojnë me të madhe, këtë sezon garojnë për një vend në Europë.

Nga ajo që u pa në këtë javë të parë Lushnja shihet si skuadra e destinuar për t’u kthyer andej nga erdhi, pasi lagunarët nuk arritën për asnjë moment të hynin në lojë në sfidën ndaj Vllaznisë duke treguar se Kategoria Superiore është një nivel shumë i lartë për ta.