Kreu i Policisë Bashkiake të Durrësit, Vasip Çopa, në një konferencë të zhvilluar paraditen e kësaj të mërkure, ka pasqyruar bilancin e punës së bërë gjatë 2018-s, i cili ashtu siç thotë edhe vetë drejtori i këtij institucioni, ka qenë një vit i veçantë sa i përket aspektit të objektivave dhe prioriteteve, por mbi të gjitha mbi performancën e realizimit të tyre.
Çopa thotë se gjatë vitit të shkuar ka pësuar rritje prezenca e Policisë Bashkiake, numri i inspektorëve të saj, ndëshkimi i kundravajtësve sipas ligjit dhe detyrave që janë miratuar në Këshillin Bashkiak. Po ashtu, është bërë i mundur krijimi i ambienteve të reja me godinën e këtij insititucioni që ndodhet pranë Drejtorisë së Hekurudhave.
Janë marrë masa disiplinore për punonjësit që kanë bërë shkelje në detyrë, ndërsa vlen të theksohet bashkëpunimi me Policinë e Rendit dhe Qarkullimit Rrugor; bashkëpunimi me administratoret e pallateve etj.
Në organikën e Policisë Bashkiake, janë shtuar 12 efektivë të rinj, nga të cilët 34 % janë me arsim të lartë dhe 13 % janë femra.
Në sajë të ndërhyrjeve, është mundësuar lirimi i hapësirave publike tek tregu agro-bujqësor; stabilizimi i tregtarëve ambulantë; janë gjobitur 847 tregtarë ambulantë, me masa me vlerë 561 500 lekë. Krahasuar me vitin 2017 në të cilin janë marrë vetëm 94 masa administrative, gjatë 2018-s kemi 9-fishim të gjobave.
Gjithashtu, është bërë pastrimi i tregut të rrobave të përdorura, tregtarët e të cilit janë sistemuar në një treg të ri; është kryer lirimi i hapësirave publike në rrugë të ndryshme të qytetit, të cilat ishin veshur nga persona të papërgjegjshëm me struktura metalike, beton, kangjella etj.
Në shëtitoren më të populluar “Taulantia”, tashmë patrullohet në 2 turne, nga ora 8:00 deri 23:00. Çopa thekson se “Parandaluam ndotjen akustike dhe zënien e hapësirave publike, me masa administrative që janë 20-fishuar në këtë zonë”.
Menaxhimi i fluksit gjatë sezonit turistik
Teksa numri i pushuesve që frekuentojnë gjatë stinës së verës Durrësin shkon në 350 mijë, është shtuar edhe numri i forcave bashkiake që monitorojnë nga Përroi i Agait deri te Kepi i Rodonit.
Shërbimet në plazhe, nga Shkëmbi i Kavajës dhe deri te Gjiri i Lalzit kryhen nga efektivë të trajnuar, të cilët patrullojnë edhe me biçikleta.
Parandalimi i ndërtimeve pa leje
229 kundërvajtje në total janë konstatuar gjatë vitit 2018, teksa po vazhdon të diskutohet një marrëveshje me Policinë e Shtetit për unifikim të gjobave.
Nga 30 milionë lekë që ishte plani i buxhetit për vitin 2017, ka shkuar në më shumë se 34 milionë lekë në vitin 2018.
Në total gjatë vitit 2018, janë vendosur 1408 masa gjithsej me vlerë 1 406 800 lekë.
Vasip Çopa mori detyrën e rëndësishme në krye të këtij institucioni në dhjetor të vitit 2017, i cili brenda një harku kohor të shkurtër, i ka rikthyer Durrësit “oksigjenin” e munguar prej vitesh; duke vendosur rregull, hapësira dhe duke i dhënë fund abuzimeve, kaosit e rrëmujës.
S.L.





