10 shkurt 2014 – Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla në analizën vjetore të prokurorisë së Durrësit, ka deklaruar se kriminaliteti në rang vendi ka shënuar rritje. Duke iu referuar ngjarjeve të fundit në disa qytete të vendit, Llalla ka shtuar se situata kriminale në vend mbetet ende shqetësuese.  Kreu i organit të akuzës, e vuri theksin tek problematika me vendimmarrjet e Gjykatës së Apelit, e cila sipas tij shumë herë ka rrëzuar vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë. “Ka vend për dyshime të prishjes së këtyre vendimeve. Problem shqetësues mbeten vendimmarrjet e Apelit, prokuroria ka mbajtur qëndrimet përkatëse duke bërë rekurse. Kryeprokurori lëshoi një apel edhe për policinë gjyqësore. Sipas tij ndaj tyre ka ankesa nga prokurorët. “Ka ankesa në lidhje me mbledhjen e provave në vendngjarje”, tha ai, ndërsa u shpreh se “Problematika duhet të evidentohet rast pas rasti dhe të bëhen ankesat pranë institucioneve përgjegjëse”. Llalla deklaroi më tej se, duhet të nxitet një bashkëpunim më i madh i punës mes policisë së shtetit e asaj kufirit.