Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, zhvilloi një mbledhje analizë me policinë bashkiake. Drejtori i kësaj policie, Vasip Çopa, ka bërë një përmbledhje në lidhje me realizimin e objektivave nga 42 efektivët e policisë që ai drejton si dhe është ndalur tek problematikat e hasura gjatë punës së tyre.
Nga ana e saj, kryebashkiakja Sako i ka përgëzuar policët bashkiakë për punën e deritanishme, ku më kryesorja gjatë sezonit turistik ka qenë largimi i të gjithë ambulantëve nga vija bregdetare. Nga ana tjetër, kryebashkiakja Sako ka kërkuar një përkushtim maksimal dhe zbatim korrekt e pa asnjë kompromis i ligjit dhe i detyrave që ka kjo polici për të mos lejuar abuzivizmin dhe për t'i shërbyer sa më shumë qytetarit.
Kryebashkiakja Sako ka diskutuar me efektivët e policisë për një plan masash urgjente që lidhen kryesisht me lirimin e hapësirave publike në çdo zonë të Durrësit. Një organizim i ri i punës nga ana e kësaj policie dhe aksioni intensiv për lirimin e hapësirave publike, parkingjeve të paligjshëm, bashkëpunim sa më i ngushtë me qytetarët për të zbatuar ligjet dhe për të shmangur abuzimet ishin tema të bashkëbisedimit gjatë kësaj analize ku u caktuan edhe objektiva të qartë për t'iu përgjigjur sa më mirë nevojave të qytetarëve.





