Durrësi synon të kthehet në një destinacion turistik, që vizitohet përgjatë gjithë vitit.

Por edhe në këto 9 muaj të parë të 2024-s, boom-i turistik vijon të regjistrohet përgjatë 3 muajve të verës, periudhë gjatë të cilës evidentohen edhe problematikat më të shumta, kjo për shkak të dy apo trefishimit të popullsisë.

Në analizën e sezonit turistik, e zhvilluar pak ditë më parë nga Task Forca institucionale, theksi është vënë tek hapësirat publike përgjatë vijës bregdetare.

Kryefjala e kësaj vere kanë qenë hapësirat publike të pamjaftueshme në plazhe, por situata pritet të ndryshojë vitin e ardhshëm, ashtu siç edhe premtoi disa ditë më parë kryeministri Rama. 

Në Durrës rezulton se plazhet publike nuk zihen vetëm nga privatët, por edhe qytetarët.

“Tashmë nuk janë vetëm bizneset dhe sipërmarrjet private që herë herë uzurpojnë hapësirat publike, por tashmë është kthyer në një problem vërtet serioz pjesa e qytetarëve, të cilët vijnë dhe pushojnë dhe më pas nuk e lënë plazhin të lirë, sikundër ata e gjetën një ditë përpara, për të gjithë ata që do të vijnë të nesërmen”,- thotë për “Durrëslajm” Oltsen Gripshi, koordinator i Task Force-s.

Shërbimi i rojeve bregdetare ka “çaluar” këtë vit, por duket se sezonin e ardhshëm vëmendja institucionale do të jetë e plotë në këtë drejtim.

“Nuk jemi ende në atë çfarë ne kërkojmë dhe duam që të jetë shërbimi ndaj pushuesve. Sigurisht është një pikë qendrore, është kryefjala e sezonit të ardhshëm turistik për ta çuar dhe atë, në nivelin e duhur, në nivelin e merituar të pushuesve në vijën bregdetare të Durrësit”.

Megjithëse jemi në fund të muajit shtator, flukset turistike vijojnë në Durrës, me një ritëm pak më të ulët sesa gjatë muajve të verës, duke dëshmuar kështu për një sezon që i arriti pritshmëritë.

Vetëm nga pika kufitare e portit të Durrësit përgjatë periudhës 1 qershor – 15 shtator janë regjistruar 442.635 udhëtarë në hyrje – dalje.

“Ka qenë një sezon i suksesshëm, qoftë kjo dhe referuar hyrje/daljeve në pikën kufitare të portit të Durrësit. Sigurisht Durrësi është një vendqëndrim i rëndësishëm përsa i përket turizmit vendas, por edhe të huaj. Këtu do doja të prekja edhe pjesën e Krujës me atraksionet e saj turistike që ka pasur një boom të vërtetë turistësh”.

Shifra mjaft të kënaqshme janë regjistruar edhe përsa i përket vizitave në sitet arkeologjike dhe historike të qytetit bregdetar.

M.B.