Me ndarjen e re territorale Bashkia e Durrësit, u kthye në një super bashki të madhe, jo vetëm përsa i përket numrit të popullsisë dhe sipërfaqes, por edhe interesave që kanë të gjitha forcat poltike për të drejtuar atë. Vangjush Dako i Aleancës për Shqipërinë Europiane kërkon mandatin e tretë, ndërsa përballë tij është Grida Duma, e Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, e cila kërkon të menaxhojë bashkinë numër 2 të vendit. Për demokratët fitorja në Bashkinë e Durrësit është kthyer në sfidë, pasi prej vitit 2000, Durrësi, qeveriset nga e majta. Të djathtët kërkojnë unifikimin e votës, si parti dhe kandidatë. Fakt i pamohueshëm në zgjedhjet lokale në bashkinë e Durrësit në vite është, se populli durrsak voton PD, si forcë kryesore politike, por jo kandidatin  e saj. Pavarësisht se bashkia është udhëhequr nga një përfaqësues i majtë, prej rreth 15 vjetësh,  në  Këshillin Bashkiak këshilltarët e majtë, kanë qënë në minorancë, qoftë veçmas si parti, qoftë si koalicion, përballë të djathtës që ka zotëruar shumicën.     

Zgjedhjet e vitit 2013, treguan se bastionet e forcave politike kanë rënë, duke e bërë garën elektorale të hapur.

Analizë zgjedhjet parlamentare të 2013:

Koalicioni i Majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane vjen më euforike në këto zgjedhje, për faktin se kanë rikuperuar mjaft terren në zgjedhjet vendore të 2011, dhe më pas në 2013, me moton e Rilindjes kombëtare, duke shpërbërë bastionet e PD. Nga zgjedhjet e 2013 rezulton ASHE në avantazh të dukshëm prej rreth 10 mijë votash në total, ndërsa në raport me zgjedhjet vendore lokale të 2011, avantazhi i së majtës  është tejet i ngushtë dhe i papërfillshëm.

Aleanca për një Shqipëri Europiane PS+ LSI në 2013, mori  mbi 10 mijë vota avantazh në rang qarku, në Durrës, ndaj koalicionit të djathtë , i cili vinte i avantazhuar me 5 mijë e 500 vota nga zgjedhjet e 2009. Përfundimi i procesit të numërimit tregoi se vota kundër të djathtëve e rrudhi hartën blu në qarkun e Durrësit nën minimumin historik të saj në 2013. 7 deputetë nga aleanca e majtë e 5 nga e djathta, u dërguan në parlament, por e djathta pësoi disfatë me rënie të bastioneve të saj.

Nga 7 KZAZ në rang qarku  vetëm dy prej tyre  dolën  në favor të së djathtës me diferencë minimale votash,  rreth 1500 në raport me zgjedhjet e 2009. Ndërsa në 5 KZAZ të tjera e majta rikuperoi disavantazhin e doli me rreth 10 mijë vota në favor të kandidatëve për deputetë.

Bastione të së djathtës me kryesim mbi 10 mijë vota, në 2005 e 2009,  janë konsideruar njësitë vendore si Bashkia Sukth , Katund i  Ri, dhe  Komuna  e Rrashbullit.  Në zgjedhjet e 2013 vota blu u tkurr në këto zona me një avantazh minimal, prej rreth një mijë votash në favor të PD. Në këto njësi vendore PD synonte  të kthente besimin për të përmbysur rezultatin politik të zgjedhjeve parlamentare të vitit  2013. 

K.H.