Nga Shpëtim Kodra
Umberto Eco, autori i romanit të mrekullueshëm “Emri i trëndafilit”, duke cituar librin me poezi “Rapsodia e jetës së trëndafilave” të V.Zhitit, shprehet:”Poezia u shkakton frikë regjimeve diktatoriale, edhe nëse flet, si në rastin e Visar Zhitit, për trëndafilat”. I vlerësuar nga kritika botërore, si një ndër poetët më të mirë të globit, Zhiti ka merituar mjaft çmime ndërkombëtare dhe është pranuar anëtar nderi i Akademisë ndërkombëtare “Mihal Eminescu”. Zhiti:”U akuzova se paskam shkruar vargje hermetike,|por më hermetikisht më mbyllën…|10 vjet heqje lirie!|Edhe atë që s’e ke,|ta marrin. Ata na donin skllevër. Me vargje krijonim lirinë”. Arti –antipod i tiranisë. Në një ditë feste, më 8 nëntor 1979 e arrestuan. Vëllimi poetik, i pabotuar, por i kaluar në ekspertizën diktatoriale, e dërgoi në burg.
Liberalizmi i porositur nga diktatori, liria e provokuar,e kontrolluar, e survejuar, e shndërroi festivalin XI të këngës, në një teatër të ri tragjedish reale, në një inkuizicion komunist, të nisur që me çlirimin e Shqipërisë dhe robërimin e shqiptarëve, si dhe me përçarjen e tyre përmes luftës së përbindshme të klasave. Në dimrin e vitit 1972 besohej aq shumë nga njerëzit në një pranverë të vërtetë.Por mbeti një ëndërr e bukur , e vrarë. Teksti i këngës fituese, hartuar nga Sadik Bejko, shprehte dyshimin profetik:”Pranë meje dikush tha:|Erdh pranvera,|por unë nuk e besova…|Copëra të shpresave larg|fluturuan,|në qiejt e kaltër”.U hodh në erë një festival modern, me gjithë krijuesit e tij të talentuar, se nuk pati trëndafila e këngë për diktatorin dhe “pranverën socialiste”.Më 1969 V.Zhiti kish botuar poezinë e parë “Sikur ti na erdhe, pranverë”.
Më 1963 pushkatohej e lihej pa varr Trifon Xhagjika, autori i poemës “Atdheu është lakuriq”. Më 1965 vdiste, pas torturave, tragjediani i parë e i vetëm Et’hem Haxhiademi. Më 1968 drama “Njollat e murrme” meritoi flamurin e festivalit të teatrove, përshëndetur edhe nga Mehmet Shehu, por dënuar më pas nga diktatori. U dënuan realizuesit. Më 1973 u burgos dhe autori Minush Jero. Ndërkaq në Prishtinë më 1971 shpallej manifesti “Vox clamantis in deserto”, nga A.Podrimja, E.Basha, apo A.Pashku, i cili solli surrealizmin, absurdin. Hidhej poshtë kështu metoda e realizmit socialist, fenomen që kish nisur atje më 1953. Në maj 1972 erdhi në Tiranë e nuk pranoi të interpretonte ne ndonjë film shqiptar të realizmit socialist, aktori i famshëm B.Fehmiu. Më 1973 arrestohej, në praninë e studentëve, “Shaljapini” shqiptar, Artisti i Merituar Llukë Kaçaj. Më 1974 vdiste, në rrethana misterioze, dramaturgu Shpëtim Gina, për të cilin D.Kaloçi e M.Stafa sollën dokumentarin “Demonët e Ginës – misteret e një ikjeje të koduar”.
Më 1977 u pushkatuan dy poetë, për poezitë e pabotuara, por të kaluara në ekspertizën vdekjeprurëse, Vilson Blloshmi e Genc Leka. Kjo ishte atmosfera, kur burgosej edhe V.Zhiti, i cili te libri “Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e dënuar” shprehet:” Letërsia shqipe është një letërsi martire”. Shifrat dhe llojet e dënimeve që ai jep, janë tmerruese. Në Shqipëri u burgosën e u dënuan 200 personalitete të kulturës, artit e letërsisë. U pushkatuan, vdiqën në tortura, ose mbetën pa varre 50 vetë. Shifrat respektive në Kosovë ishin 43 dhe 15 vetë. Në një intervistë Zhiti shprehet:”Kujtesa për krimet e komunizmit po shtypet, ose po jepet një perceptim i gabuar i saj. Për Kujtesën janë bërë hapa të dukshëm, por jo të ndjeshëm”. Prof.Lori Amy sikur e konkretizon idenë e tij:”Shqipëria nën diktaturë ka qenë një skenë krimi. Një Bunk Art nuk mund të shërbejë si simbol i identitetit kombëtar, apo si shenjë krenarie. Është simbol turpi, pasi 700.000 bunkerë u ndërtuan, kur populli shqiptar nuk kish bukë të hante”.
V.Zhiti aktualisht jeton në Çikago, por shpirtërisht nuk është larguar kurrë nga Shqipëria, të cilën e sheh me dashuri e dhembje. Me vete ka marrë historinë e tragjedinë tonë:”Doja t’i ikja një makthi, për t’iu dorëzuar një ëndrre. U duheshin vuajtjet tona, idealet, aleatët, ajo që përfaqësonim, por jo ne. Nuk na dhanë mbështetje për realizimin e një filmi për kryengritjet e të burgosurve në Spaç e Qafë Bari. Në vendin tonë po përjetohet një demokraci e vështirë, e ashpër”. Në 60-vjetorin e tij të lindjes, në Durrës janë promovuar dy romanet e tij “Rrathët e Ferrit” dhe “Ferri i çarë”, për të cilët mbajta referatin kryesor. Në to dhe në romane të tjerë të tij, përmes autopsisë reale të sistemit diktatorial, janë pasqyruar fate tragjike e fakte tronditëse.
Në prag të 70-vjetorit të lindjes, Visari erdhi përsëri në Durrës, ku promovoi romanin më të fundit “Këpuca e aktorit”. Në ballinën e romanit është piktura e Atjonit, meteorit të ndritshëm e të talentuar, që u shua fare i ri. Romani paraqitet si një strukturë e hapur, me një mozaik të gjerë episodesh, që ka si bosht teatrin dhe simbolin e këpucës së aktorit. Sensi poetik, lirizmi i dhe humori tërheqës (i trashëguar), i bashkon ngjarjet dhe emocionet. Një rrugëtim dramatik përmes realitetit dhe ëndrrës, me personazhe realë e të trilluar. Një portret i atdheut në tri kohëra. Një pasqyrë, ku shihen qartë të menduarit e të jetuarit, dashuria dhe urrejtja, vuajtjet dhe pasionet. Një rrëfim jete, real e retrospektiv, që bashkon tek e tashmja, të kaluarën dhe të ardhmen. Prozën e hijeshon figuracioni i pasur e në veçanti spikat stili oruellian, përmes paradoksit të oksimoronit dhe sarkazmës së groteskut.
Oksimoroni, që përdoret shpesh në të folurit e përditshëm, shpreh lidhjen paradoksale të koncepteve, veprimeve të papajtueshme, për të krijuar një kuptim të ri, që është shprehje e një kontradiksioni të brendshëm. Duket sikur nuk pajtohet me arsyen e shëndoshë, por që mund të rezultojë i vërtetë. Rrëfimi kontraversial -karakteristik edhe për stilin e absurdit. Jep efekt stilistik në roman. Shembuj: Komedia tragjike “Nusja në thes” e Hekuran Zhitit. Hektori: kufomë –gjallë- zvarrituri. Teatri është jeta dhe vdekja ime. Dështim i suksesshëm. Entuziazmi i egër i çlirimit. Që të keqkuptohemi sa më mirë, dua të provokoj, në fakt të qartësoj. Oksimoroni shpreh bukur paradokset absurde të jetës sonë sociale, ekonomike, politike, mediatike, juridike. Shqipëria aspiron të hyjë në B.E, nga ana tjetër hedh poshtë ndihmën e “Europa nostra”-s, për rikonstruksionin e teatrit, edhe me shpenzimet e saj.
Nihilizmi ekzistencial në një realitet të pasigurtë, ku injorohen të drejtat, liritë e njeriut. Thuhet që komunizmi ishte sistem represiv, ndërsa demokracia totalitare është sistem depresiv. Zhiti:”Diktatura nuk ka ikur e demokracia nuk ka ardhur”. Situata absurde, zhgënjyese e padrejtësisë, si dhe kontradikta mes ëndrrës dhe realitetit, krijon te shkrimtari i njohur tërheqjen pas realizmit magjik ekspresiv dhe rrëfimit surreal. Ëndrrat në gjumë, ëndërrimet në zgjim janë shfaqje të jetës. Koha nuk rrjedh në vijë të drejtë, por në përthyerjen e rrëfimit, që, edhe kur shfaqet si mirazh, edhe në zhvendosjen e realiteteve, në lidhjen e jetës me vdekjen, si në dialogun me Atjonin, apo me fantazmën e babait, surrealizmi i ka rrënjët thellë në realitetin konkret dhe në personazhet realë, të përshkruar aq bukur e me aq ërtetësi. Fantastikja e magjikja bashkëjetojnë aq natyrshëm me realen. Të tillë bashkim të përkryer fantazie, imagjinate dhe realizmi i kemi hasur më parë te Kuteli. Imagjinarja e nënkupton fantastiken, vetëdija lind nga nënvetëdija. “Surrealizmi kalon nëpër rrugë” –thotë Markesi. Një vend me shumë drama është vendi ynë sot. Metafora e teatrit përshkon gjithë romanin.
Hapet romani me “Parakreun”:”Kish kaluar mesnata, por, pa zbardhëllyer ende, Teatrin e shembën.Nën rrënoja kish mbetur njëri nga aktorët. Në atë kohë bëheshin pushkatimet, se kush kishte thënë, apo ai vetë”? Lexojmë “Në paraskenë”:..”Gjallë duhet të jem, s’jam i vrarë i gjithë, po ku jam?… Edhe i vdekur në rol je… Gjithsesi shfaqja është…Nisi me një tra, personazh, më ra pas kokës…Nuk e di a jam gjallë”…Te “Nisi si një monodramë” thuhet:”Aktori në mes asaj rrëmuje artistike, jam unë i gjithë, që do të flas për vete, si për një tjetër. Nga dritarja duket një ditë gri. S’është e sotmja, por e dikurshme….po flas me vete…vetëm…për veten…S’e kam fjalën për vdekjen; për atje s’duhet maskë… Dua të mbroj jetën, s’kam armë e bomba; janë të vdekjes ato, por kam lojën, jam aktor”.Te pjesa tjetër e hyrjes “Jam (anti) aktor” thuhet:”Isha, jo se s’jam, por, kur shoh përreth aktorë të dobët, madje pa karakter të tyre,jo më dhe me karaktere të tjera për skenën dhe kur aktorët më të këqinj janë politikanët në krye, them që s’jam aktor, por antiaktor”.
Për autorin teatri është gjithkohësia. “Aty ruhet e gjallë, si në një muze të botës, vetë jeta. Ti sheh madhështinë e njeriut si njeri, por edhe si djall. Teatri të jep pavdekësinë. Teatri është që jeta të mos bëhet teatër, por teatri të bëhet jetë. Aktor je gjithmonë një tjetër. Aktori është çdo njeri, por jo çdo njeri është aktor, dua të them i mirë, i shkëlqyer”. Ekzistencializmi kuptohet më së miri me aktorin dhe skenën e tij, ku ka vetëm të tashme dhe ai është për të tjerët si një tjetër, i tjetërsuar|personazh. Ndërtimi i ndryshëm i frazës i përgjigjet stilit të absurdit, që ndërthuret, me stilin realist mbizotërues. Me penelata shumëngjyrëshe pikturohen situata historike e psikologjike; portretizohen figura të ndritshme tragjike. Sinqeriteti, humanizmi, dhembja, po dhe kultura e gjerë, karakterizojnë rrëfimin polifonik. Autori është vetvetja, por dhe tipizimi i atyre që, në diktaturë qëndruan e vepruan me dinjitet, me pasion qytetar e atdhetar; për moralin, të drejtën e të vërtetën. Të burgosurit poitikë janë kolona e demokracisë dhe qëndresës. Tema e trajtuar është aktuale për vendin, por edhe me rezonancë universale, për filozofinë e jetës dhe përqasjen me teatrin. Tipizohet fati, drama, dhimbja dhe përpjekjet e shtresës intelektuale.
Vetëzbulimi i protagonistit përmes dilemave të vazhdueshme. Në qendër familja Tomori. Njohja dhe më pas dasma e lumtur me Erikën. Gëzimi i lindjes së Irisit:”Buzëqeshja e parë e Irisit dhe Erikës, si dy flatra lumturie”. Më pas hija e Sigurimit. Lumturia përndiqet, ashtu si armiku i klasës. Hektori provokon divorcin fiktiv, i aplikuar shpesh atë kohë, për të mbrojtur familjen, e cila, pas dënimit të kryefamiljarit, goditej dhe ajo. Duke menduar rrezikun e internimit, Hektori (që mishëron si prototip Hekuranin aktor e krijues), largon familjen, por ndërkaq përjeton vetminë, braktisjen. I shprehet Erikës, bashkëshortes:”Të paktën shpëtoni nga unë”! Ai provon brenga, dyshime e shqetësime:”Erika më duronte me dhimbje”. Skena e rëndë e ndarjes. I vetëm- më i lirë, por më i mjerë”. Provon dhe punën edukuese (korrektuese) në amfiteatrin e Durrësit, ku vijnë për të interpretuar edhe Irisi me Marinin, që e donin dhe e ushtronin teatrin. Këpuca e aktorit, si një personazh simbolik, përshkon situatën reale të historisë kombëtare e familjare dhe shoqëron përshkrimin e ngjarjeve.
Një personazh që i ngjitet si hije protagonistit, është Anastasi (çaçoja), një 1200 lekësh i ndyrë. Përfaqëson imoralitetin e një komunisti informator (bashkëpunëtor). Nga të persekutuarit kishte më shumë spiunë se nga ne”. Thënia e tij dëshmon që spiunët e djeshëm janë kthyer në shpifës të sotëm. Mbron Vorio Epirin. Mendoj që skenat seksuale me dy femrat e përdala , si dhe skenat me gruan e vajzën e çeços, mund të reduktohen, sa për të dhënë mesazhin e një familjeje imorale. Edhe simboli i këpucës që s’di asgjë për rrugët ku ke dëshirë t’i çosh, është përdorur dendur, shumë shpesh. Gjithnjë ka vend për lakonizmin. Është i domosdoshëm edhe korrektori letrar, pasi ndeshen edhe pasaktësi drejtshkrimore, si b.f shkrimi i gabuar i fjalëve Evropë, Tomor etj. Gjithsesi këto vërejtje, nuk ndikojnë në vlerat e romanit.
Edhe kjo vepër dëshmon angazhimin e plotë e të përkushtuar në shërbim të kujtesës historike, të vërtetës e lirisë. E vërteta artistike është e vërteta më e lartë. Historia korrigjohet vazhdimisht, kurse veprat e shquara mbeten gjithnjë aktuale. Duke pasur në qendër të vëmendjes qëndrestarët, autori kërkon të krijohet një Muze i Qëndresës. Diktatura ka zhdukur, ka tjetërsuar e retushuar dëshmi e dokumente, por kujtesa e shkruar e ajo gojore i shërbejnë të vërtetës. Kujtesa përbën dëshmi, akuzë e material për historinë. Arti, si kombinim i të vëërtetës me të bukurën, shërben si diagnozë, por dhe si terapi. “Politika s’ka ligj, s’ka rregulla, s’ka as moral; asht kameleon” –shkruan Migjeni. Por ajo drejton gjithçka. M.Tuein:”Politikanët dhe panolinat duhen ndërruar shpesh, për të njejtën arsye”. Edhe sot te ne parlamenti është shndërruar në një teatër të shëmtuar, me akuzat e ndërsjellta për spiunë, komunistë e të korruptuar, me shpifje e fyerje pa fund. Këto shpifje përcillen në median e shkruar. Hygoi:”Shpifësit gjakpirës përjetojnë një lumturi të zezë”. Drejtësia nuk i dënon.
Përçarja, pasojë e luftës së klasave, mbetet një realitet permanent. Politika na ndan për çeshtjen e teatrit. Politika na ndan edhe në përcaktimin e një date të vetme të çlirimit, por vijon farsën idiote e pa sens, për orën dhe ditën, kur u largua gjermani i fundit. Vetë E.Hoxha e ka përcaktuar e më pas e ka ndryshuar mendimin, siç ka bërë gjithë kohën, me rigjykimin e fakteve e të personaliteteve. Më 28 nëntor 1944 ora 10.00, si kryeministër, ai, bashkë me qeverinë provizore, parakaloi gjatë paradës ushtarake në Tiranë. Dhe pasditen e 28 nëntorit mori pjesë në ballon festive te hotel”Dajti”. Buletini i L.N.çl nr.53 dt. 1.12.1944, në artikullin “Shkodra u çlirue” e konsideron 28 Nandorin dy herë të shenjtë, që e plotëson çlirimi i Shkodrës. Në qendër të faqes së parë gjithashtu janë vënë fotot e E.Hoxhës dhe I.Qemalit. Për Zhitin ka rëndësi më tepër fakti se ç’regjim solli ajo datë, kur çlirimtarët u shndërruan në pushtues, sollën diktaturën.
Visari është për evolucionin e jo për revolucionin. Prandaj prishjen e Teatrit, që i përçau dhe aktorët, e përjeton thellësisht, madje shpreh keqardhjen edhe për resortin e bukur, të ndërtuar me punë e me shpenzime. Si në fillim, edhe në fund të romanit, në fokus mbetet teatri. Prishja e tij shihet si një akt i zymtë, i errët, madje i kryer natën e në kohë pandemie. Teatri i vetëm Kombëtar, monument kulture e kujtese historike. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e konsideroi si një krim institucional në mes të Tiranës, të kryer pas një kalvari shkeljesh ligjore e kushtetuese, për të cilat SPAK-u hesht, ndërsa Gjykata Kushtetuese shprehet në mënyrë gjysmake.
17 maj 2021. ç’ishte ashtu? Tërmet, bombardim, apo ankth? Postdiktatura po i ngjante diktaturës. Teatri më ra në kokë. Më vrau. Po ndieja në brinjë shembjen e teatrit. Dëgjova Atjonin:”Ngrihu, jam për ty! Edhe ëndrra është realitet? Student, apo engjëll është ky? Ia dhashë britmës. Së pari për studentin, djalin që u zhduk. Është britma, ose klithma e zemrës së babait të pangushëllueshëm. Përdoret këtu prozopopea, figurë retorike, që konsiston në përfaqësimin, si persona të gjallë që flasin, ata që nuk jetojnë më, ose duke i shpirtëzuar(personifikuar), gjërat abstrakte e pa shpirt. Shembuj: “Njeriun,|sa pak e gjej te njeriu;|prandaj u drejtohem pemëve”. Ose: “Rrallë më vinte fantazma e babait. Shpirti im e fantazma”. Teatri rrëzohet. E pranon vdekjen me dinjitet pikëllues. Të vinte për të qarë. Requiem. Vendi im bën teatër, por nuk e do teatrin. Teatri i Prishtinës ato ditë do të ndërpriste shfaqjet, në shenjë zie.
Pabesia gjatë natës. Ditë e zezë për artin. Dridhmat e ekskavatorit iu dukën si të vetat ekskavatoristit. Në këtë orë bëheshin pushkatimet. Pa njerëz, pa dëshmitarë-kish folur me vete ai. Protestuesit të dëshpëruar, fytyrëngrirë. E shembi qeveria. Me qeverinë nuk luhet, ajo luan me ne… Në shkurt 1999 protestat e fuqishme të artistëve dhe intelektualëve të shquar kërkonin, ndër të tjera, shpalljen monument kulture, si dhe dhënien e fondeve për rikonstruksionin e teatrit. M.Velo thonte:”Teatri është lënë pa mirëmbajtje, që të degradohet e të prishet. Për zgjidhjen e brendshme, nuk ka teatër me zgjidhje funksionale më të mirë në Shqipëri. Aty janë krijuar institucionet e kulturës. Vlerat vijnë nga vjetërsia. Trashëgimia është grumbullimi, transmetimi dhe ruajtja e vlerave kulturore”. Zona, ku bënte pjesë Teatri ish shpallur “monument kulture” në vitin 2000. Pra edhe Teatri që bënte pjesë në atë zonë, konsiderohej i tillë.
“ Gazeta “Il fatto quotidiano”(16.7.2018) shkruante:”Në fillim u prish kopshti i ulët i Berte-së, i vitit 1935. Më pas u prish stadiumi më i mirë, i projektuar më 1934 e tashmë Teatri Kombëtar”, i projektuar më 1938, me arkitekturë racionaliste. U prish ansambli arkitekturor. Në teatrin “Kosova”(më pas Teatri Kombëtar)kanë debutuar mjeshtra të mëdhënj të artit lirik, folklorik e kryesisht teatral e kinematografik. Vetëm aty e askund tjetër, mund e duhej të krijohej Muzeu i Kujtesës Artistike Kombëtare, ku ka shkëlqyer arti sublim i pasardhësve të Moisiut. Arkitektura që propozohet është pa karakter identitar. Po ArTurbina ç’është, hidrocentral?- flet ironia.
Si monument kulture u ngrit mbi kujtesën mizore të ceremonive politike, kur fitimtarët e përdhunuan tempullin e artit me gjyqet kriminale. Përse duhej zhdukur nga pamja e nga kujtesa një monument me simbolikë të dyfishtë, ku Arti triumfoi mbi Krimin? Kadare:”Mënyra si po largohemi nga komunizmi, favorizon amnezinë e krimeve dhe amnistinë e kriminelëve”. Krimet që harrohen, ose mbulohen, përsëriten. Në roman jepet përshkrimi tronditës për vitet e para të pasluftës, kur “u lirua Shqipëria, por jo shqiptarët. Liria do kulturë, jo vetëm dyfeqe”. Për martirët e gjyqeve “speciale” të viteve 1945-47, S.Kumbaro, me skenarin e U.Butkës, ka realizuar një dokumentar. Gjyqet politike organizoheshin si shfaqje masive, të shëmtuara e tragjike, të një teatri real, për diskreditimin publik të pafajësisë, që pasohej nga krimi ndaj “trurit të kombit”.
Në mes të akuzuarve, të lidhur me zinxhirë, ndodhej edhe shkrimtarja dhe disidentja e parë grua në gjithë Lindjen komuniste, Musine Kokalari. Ajo duhej të ishte aty si autore dramash letrare e jo si personazh i gjallë, i vërtetë që dënohej, në teatrin real të vrasjeve. Atdheu ish i mbyllur, si një teatër absurd. Vrasjet në kufi. Prishja e kishave, xhamive. Filmat sovjetikë, citatet e Maos, grupet “armiqësore”. Socializmi i dobët, diktatura e fortë. Aktorin e madh(diktatorin), hijerëndë, të bukur e të gjithëfuqishëm duhet ta doje me epsh, si gruan; idealin e Partisë më shumë se fëmijën.-thotë autori. Kalvari, tragjizmi i figurave intelektuale, me personalitet të fuqishëm, si dhe klerikëve martirë, që ka nisur menjëherë pas çlirimit, vijoi gjer më 1988, një vit para shembjes së Murit të Berlinit.
Namik Dokle në romanin “Kolerë në kohën e dashurisë”, rrëfen që trupi pa kokë i poetit Havzi Nela, u gjet i varrosur vertikalisht, në një gropë shtylle telefoni. Dokle e krahason komunizmin me murtajën, ashtu si Mid’hat Frashëri, idealisti i madh, shërbestari i kombit, që shprehej:”Ne nuk jemi kundër partizanëve, por kundër murtajës së kuqe, që duan të sjellin komunistët. Duhet të fillojmë nga kultura, kur të bëhet Shqipëria e lirë”. Personalitetet e kulturës duhej të drejtonin politikën. Por pikërisht mbi kulturën, mbi intelektualët nisi krimi diktatorial, komunist. Ndërsa sot, nën demokracinë totalitare e jo funksionale, klima e ndotur ka prodhuar detraktorë e apatridë. Më 23 dhjetor 2022, natën u shkatërrua monumenti i Mid’hat Frashërit, për të cilin E.Rama ka thënë:”M.Frashëri, bartës i ndershmërisë intelektuale, i dha Shqipërisë gjithçka kishte e gjithçka mundi”. S’është bërë ballafaqimi me diktaturën, s’janë dënuar krimet e komunizmit e të diktatorit, prandaj konflikti ka mbetur. Migjeni te “Bukën tonë të përditshme falna sot” shkruante:”Bolshevikët si njerëz të egjër ishin”. Janë fjalët që Filipi i drejton Zefit.
Diktatura dënoi veprat dramatike,autorët e tyre, madje edhe lexuesit, duke krijuar vetë drama e tragjedi e duke i shkaktuar një humbje të pallogaritshme Kombit. Në roman përshkruhen edhe episode, a ngjarje të rënda, tragjike, reale. Një personazh, Skënderi tregon:”Isha në një pushkatim. Gjyqi partizan dënoi një shok, që kish rënë në dashuri me një partizane. Vramë shokun më të mirë. Në shtab komunisti jugosllav nuk pranoi ta falnim. Pas koke e ka dhe vajza”. Një rast analog trajton dhe Vasfi Baruti te “Nega totum”.
Skenarin e pushkatimit të Ramize Gjebresë, për dashurinë e hamendësuar, e kishte sajuar N.Xhuglini. Por edhe D.Mugosha kish ankthin që nëna e Ramonës ishte nga Kaçaniku. Duhej të vdiste më pas edhe Zaho Koka. M.Prençi:”Drama e partizanit pa emër” e F.Arapit që u dënua në Plenumin IV, është dramë fiction, por pasqyron realitetin e L.N.çl. Vrasja e “partizanit pa emër”,nga shokët e tij, pasohet me valle e dolli. Një e vërtetë rrënqethëse, tragjike, që ka ndodhur shpesh. Vrasje mizore nga komunistë karrieristë, aventurierë, gangsterë. Nuk ka emër, se është një rast tipik. Kjo dramë moderne stigmatizon letërsinë skematike, të ideologjizuar”.
Letërsia e realizmit socialist duhej të pasqyronte vetëm suksese, arritje, fitore. Nuk ishte realiste, pasi nuk mund të pasqyronte mungesat elementare, jetën e vështirë të popullit, as jetën në burgje e internime, apo punën e sforcuar e drobitëse të të burgosurve në tunele, bunkerë, stadiume, aeroporte. Moisiu, ati i Hektorit:”Iu vura teatrit. Doja të bëja luftën kundër luftës”. U vra nga një partizan në duel. Në poemën dramatike me titull”Kundërshtarët përqafohen”, njeri ishte me partizanët, tjetri me ballistët. Luftuan kundër pushtuesit, por edhe kundër njëri –tjetrit. Del në skenë nëna e tyre si fantazëm dhe i gjen të dy djemtë të vrarë në betejë, ndoshta edhe me njëri-tjetrin. I bashkon ajo në një përqafim të fundit. Poema u shpërnda edhe si trakt, por komunistët urdhëruan djegien e trakteve, edhe pse E.Hoxha, me anë të një qarkoreje të datës 1 tetor 1943, kish urdhëruar shpartallimin e Ballit.
Grotesku, si figurë retorike shpreh bashkekzistencën shpërthyese mes komikes e tragjikes, të bukurës e të shëmtuarës, të madhërishmes e të ultës, për të krijuar kuptime të reja, ose për të tërhequr vëmendjen. Një situatë groteske paraqet kjo ngjarje: në olimpiadën e teatrove në qytet, do të konkuronte edhe Dega e Punëve të Brendshme. Kryetari Degës i tha Hektorit:”Ti do të drejtosh grupin tonë. Duam çmimin e parë. Në pjesë armiku i klasës kërkon të arratiset, por rojet tona”…E dërguan në një qeli, ku kish një tryezë të vogël, një karrike, letra, pagure uji. Një britmë dëgjoi nga qelia fqinje, ku torturohej dikush. Ky ishte teatri i realizmit socialist. Të bësh art në një qeli. Tragjikja e komikes. Më pas do t’i dilte shpesh Hektorit në ëndrrën torturuese qelia (biruca) e tmerrshme.
Një mesazh të fortë rreth fundit të palavdishëm të diktatorit dhe epërsisë morale të njeriut aq human si Nënë Tereza, sjell autori. Dridhej varri i diktatorit. E ruanin ushtarët e Gardës. Zhurma nga të çarat e tokës. Klithma. Rënkimet e natës, si nga gropa e ferrit. Ndoshta i bëhej një gjyq diktatorit. Vejusha e diktatorit bisedon me pasardhësin R.Alia. Të dy ateistë të egër. Edhe kampi socialist po dridhej si varri e po shembej. Mira Meksi te “Diktatori në kryq” e trajton këtë moment.
R.Alia i thotë sh. Nexhmie, diktatoreshës, dunkaneshës:”Ti duhet të bësh paqe me fenë. Merr udhën e përndritshme të Besimit. Lidhu me Shenjtorët. Sille Nënë Terezën, të shenjtën e gjithë botës. Është gjaku ynë. Afrimi me fenë, që ajo t’i falte gjakun e derdhur, kampionit botëror të persekutimit fetar; atij që, jo vetëm nuk e lejoi shenjtoren të takonte nënën e motrën, por e shau edhe me fjalë rrugaçërore. Në gusht 1989 e çuan shenjtoren te varri i anatemuesit të saj, me një buqetë me lule. Përkohësisht varri u qetësua. Por do të shqetësohej Shqipëria dhe varri më pas. Tereza ish rritur jetime. Babain ia kishin helmuar. Në një film italian kushtuar Nënë Terezës interpretoi aktori B.Fehmiu, i cili do të donte të interpretonte edhe rolin e Lazër Mjedës. Rrëfen autori edhe për loken Drande, për Agen e Lazrin si dhe për takimin e tij me Shenjtoren.
Mbyllja e romanit me “fluturim për në Ukrainë” është mjaft domethënëse dhe aktuale. Kauzën dhe luftën e saj e ndjek dhe e përkrah gjithë bota demokratike. Madje edhe Finlanda asnjanëse që për vitin 2022 është cilësuar si vendi me popullin më të lumtur në botë, detyrohet nga rreziku i agresionit rus, të kërkojë hyrjen në Nato. Ciceroni:”Historia është mësuesja e jetës”. Në nëntor 1939 Finlanda i ish përgjigjur me një heroizëm legjendar Ushtrisë së Kuqe, e cila prej 104 vjetësh ka derdhur gjakun e vet e të popujve të tjerë. Diktatori rus edhe sot shqetëson e trondit botën. Marinit iu renditën në mendje pamjet e rënda nga lufta në Kosovë dhe tani në Ukrainë. Dy luftra për shkaqe morale. Në 2014 Janukoviçi ia mbathi në Rusi. Tani Putini…
Po niseshin për në Ukrainë Irisi me Marinin. V. Zhiti: “E doja më shumë Marinin, se donte time bijë, Irisin e bukur, që e kisha rigjetur. Më kishin mbushur shtëpinë dhe shpirtin. Në Ukrainë zhvillohet tragjedia reale më e rëndë e botës. Një popull që, nën bombardime të përditshme, lufton. Nëpër gërmadha fëmijë të uritur, të mbetur vetëm. Gra që rendin me fëmijë në krah drejt kufirit polak. Ukraina digjet e shkatërrohet çdo ditë. Miku Dmytro Chystiak i thotë Marinit:”Kohët sikur përsëriten. Po luftohet edhe për Evropën, ashtu si Skënderbeu juaj kundër pushtimit turk”. Këmbim realitetesh, aktesh të një drame të madhe popujsh. Po mbrohet trimërisht Ukraina, një vend sovran, me kulturë e tradita të lashta; me njerëz të lirë që duan t’i largohen perandorisë komuniste sovjetike. Në retrospektivë njihen krimet e Stalinit në Ukrainë, me Holodomorin e viteve 1932-33 të vdekjeve masive nga uria, si dhe me Spastrimin e madh në parti, ushtri e ndaj inteligjencës në vitet 1934-38.
Këmbanave të alarmit, ndaj rrezikut diktatorial, i bien vazhdimisht shkrimtarët, si Erih Maria Remark me “Asgjë të re nga fronti i perëndimit”, ose Migjeni në esenë satirike “Urime për 1937”,ku shkruan:”çdo vit urojmë njeni-tjetrin për një vit të ri ma të lumtun… Së pari, të uroj, shok i dashtun, të mos ndëgjosh, as dëshprimin e të mundunve, as britmën e ngadhnjyesve, në këtë jetë. Të mos ndëgjosh bumbullimën e Spanjës”. Ndërsa P.Pikasso ka krijuar kryeveprën shokuese “Guernika”, duke u kujtuar brezave gjithnjë agresionin barbar të forcave fashiste e naziste mbi fshatin Basque të Guernikës në Spanjë, më 26.4.1937. Është pikënisja e Luftës II Botërore. Spikat në roman trajtimi i lirisë, si formë e ekzistencës njerëzore e si vlera më e lartë e jetës, që shkelet në shoqëritë diktatoriale e shpërfillet në demokracitë totalitare.
Shpëtim Kodra – Studiues Letërsie