Teuta e nisi sezonin 2021-2022 si kampione në fuqi, por në tri fazat e para ka treguar paqëndrueshmëri duke dalë jashtë objektivave madhorë, ndonëse ekziston pak shpresë nga Kupa. “Djemtë e detit” këtë edicion nuk kanë marrë asnjëherë dy fitore radhazi, por një kombinim të tillë mund ta gjejmë vetëm nëse përfshijmë dhe ndeshjet e Kupës, saktësisht në fillim të këtij viti, kur mundi dy herë radhazi Skënderbeun.
Llogaritë në kampionat janë mbyllur, teksa pjesa e sipërme e tabelës është gati e paarritshme, pasi diferenca me Kukësin e vendit të tretë është 12 pikë. Shtegu i vetëm për të shpëtuar sezonin mbetet ndeshja e kthimit në Kupë ndaj Laçit.
Një mision tepër i vështirë, pasi duhet të zhvlerësojnë suksesin 1-2 të kurbinasve në “Niko Dovana”, për të prekur finalen e për të shpresuar që ta mbyllin sezonin me trofe e të marrin një biletë për në Ligën e Konferencës.
Durrsakët e nisin fazën e katërt në transfertë ndaj Partizanit, një sfidë që vlen shumë.Teuta do të kërkojë që edhe kësaj radhe të përsërisë suksesin që arriti në transfertën e fundit në Laç. Nëse durrsakët janë dorëzuar për mbrojtjen e titullit, asgjë nuk është e sigurt sa i përket mbijetesës, pasi për momentin, Teuta renditet e gjashta me 32 pikë dhe vendi i tetë është 2 pikë larg (Egnatia 30 pikë).
Teuta dhe Partizani do të takohen këtë të shtunë për herë të katërt në këtë sezon, ku tri përballjet e shkuara kanë regjistruar një fitore për durrsakët në premierën e sezonit dhe dy fitore për të kuqtë.