Nga Gladiola Busulla Jorgollari

 

Dihet rëndom që imazhi i vendit tonë në media lë shumë për të dëshiruar. Efektet negative ndihen jo vetëm tek të huajt, por gjithashtu dhe tek shqiptarët në diasporë. Të jesh larg Shqipërisë dhe të shohësh lajme apo të lexosh gazeta është një kalvar, një sprovë pothuajse çnjerëzore. Sigurisht që ne mbetemi, gjithnjë sipas parametrave tona "një popull shumë korrekt, i ndërgjegjshëm, inteligjent, bujar, mikpritës, i përgatitur, serioz, i pakorruptueshëm" dhe duket se të tjerët na bien kot në qafë. Për të mos folur se sa "tolerantë e solidarë" jemi me njëri-tjetrin. O Zot, ku t'ia bëjmë gropën shokut, sa më parë ! Po nejse, helbete damar mesdhetar, kolerik e impulsiv. Kemi harruar të bëjmë mirësi, të ndiejmë mirësi dhe të transmetojmë mirësi. 

E ç'mund të presësh nga një popull që tallet me figurat fetare, kombëtare, mësuesin; i cili miopit për shkurt i thërret "qorr", teksa i zë dritën e diellit fqinjit me pallatin e pakuptimtë shumëkatësh, që sapo e përfundoi së ndërtuari, një popull që vritet për një vend parkingu, dhe blen diploma e pozicione pune etj., etj. Nga  ana tjetër, jemi ne patriotët që valëvisim flamujt, predikojmë mësime fetare, ndezim qirinj, agjërojmë, por s'harrojmë të përsërisim gabimet; si p.sh. të ngremë grushtet, po, po, pikërisht të njëjtët grushte,  me të cilët shkulëm nga themelet kishat, teqetë e xhamitë. Kjo është hipokrizi, karshillëk i hapur dhe dashakeqësi e pashembullt.

Për të mos e përmendur, se sa të respektueshëm jemi mes nesh, kudo qofshim ! 
Lëre një herë, në dogana se ç'bëhet ! Po iu referohem Kakavijës dhe Kapshticës, meqenëse me fqinjët helenë kemi marrëdhënie paksa delikate, edhe pse politika nuk e pohon me zë të lartë. 

Doganierët shqiptarë të trajtojnë plot mirësjellje; mjafton një kartëmonedhë 5 ose 10 euroshe. Po ç'të bëjnë dhe ata të shkretët?! Ja nga halli i zhvasin bashkëqytetarët ! S'ua kanë me të keq ! Pastaj nuk është kollaj të rrish zgjuar në mesnatë, e t'u shpikësh njerëzve pretekste e justifikime, apo t'u sajosh lloj-lloj marifetesh për dy lek ?! 

Pa i hequr asnjë presje, të gjitha padrejtësive të kryera ndaj nesh nga fqinjët kufitarë të sipërpërmendur, besomëni se gjithsesi mbeten pakëz më njerëzorë dhe më të sjellshëm se ne, në çfarëdolloj rrethane qoftë. Pasi shqiptarët shpeshherë, rregullat e ligjet i keqkuptojnë, dhe i emërtojnë si padrejtësi. Ende nuk është gjallëruar tek ne, ndërgjegjja shoqërore.

Eh, moj Shqipëri e pafat ! E rrethuar nga male e shkrepa, e sunduar nga bij e bija të paepur për pasuri, që të shëmtojnë e të çnderojnë, që të vjelin e të shkelin. Bashkatdhetarët poshtërojnë bashkatdhetarët, e nga ana tjetër fajësojnë të huajt. Të paaftët, servilët, analfabetët, të paskrupulltit të zaptuan moj hallemadhe, e tash duhet me u dorëzu para fatit e faktit. Edhe sa mund të durosh, e enjtur nga goditjet e njëpasnjëshme dhe nga pangopësia e tejskajshme e kolltukofagëve nolianë ?! Veç vuajtja të personifikon plotësisht. 

Rebelohem, në fakt të shumtë rebelohemi, por asnjë feedback. Po bindem fort e më fort.

Të gjithë e kemi kuptuar se në botë, emri shqiptar nuk tingëllon pozitivisht, nuk gëzon simpati, nuk imponon autoritet. (Ekzistojnë dhe përjashtimet, s'po tregohem mohuese.)

O shqiptar që askund s'të përfaqëson shteti yt! Mos e harro këtë, para se të largohesh prej tij! Askund s'do  të gjesh përkrahje. Mbetemi jetimë, brenda dhe jashtë kornizave të tij. Prandaj të gjithë rendin të marrin pashaporta të huaja. Eshtë shumë e trishtë, kur ndihesh mirë larg vendit tend!

Një gazmaraz tejet sarkastik është opinioni i një personaliteti italian mbi vendin tonë, të cilin e krahasonte me një tokë të prirur për të prodhuar barinj e bujq, të cilët e kanë baltën kudo: në duar, në shputat e këmbëve e mbi të gjitha në mendje. Ndaj Shqipëria s'mund të përparojë. Ç'parathënie tragjike e historisë së re të një qytetërimi antik !

Vërtet që dhe italianët ndonjëherë asociohen me mafian apo gjermanët me nazizmin; ndodh. Por ne të gjorët që s'po reshtim së qeni mishërimi i  dhunës, injorancës, kriminalitetit duke u shndërruar kështu në dele të zeza, para syve të botës. Ekziston një lloj frike e përbuzje deri në ksenofobi ndaj nesh, dhe kjo nuk reflektohet vetëm tek grekët apo serbët. Sepse në vend që të integrohemi e të sillemi me dinjitet, në vend që të punojmë për të ardhmen e vendit e të fëmijëve tanë, vetëshkarkohemi nga përgjegjësitë dhe rendim si të marrë, t'i arrijmë majat brenda ditës. Më sillen ndër mend veprat e Joneskos e më duket sikur ai ka shkruar dhe për nePersonazhet e tij, në të shumtën e rasteve duken si marioneta, vazhdimisht pësojnë disfata.

Siç shprehej dhe Fan Noli, apostulli i kohëve moderne,  para 90 vjetësh ; “Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive” (fetare, sociale, patriotike, morale, e idealeve). E pra, për fatin tonë të keq, anarkia vazhdon…

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/