Nga data 1 janar 2020, e cila përkon edhe me hapjen zyrtarisht të merkatos së janarit na ndajnë vetëm pak ditë dhe Karlo Ançeloti, i cili ka debutuar me një fitore shumë të rëndësishme në stolin e Evertonit, është koha që përveç kontratës së firmosur, të marrë edhe një dhuratë të rëndësishme nga drejtuesit e klubit.
Ideja e trajnerit italian është ajo e përforcimit të repartit sulmues dhe pasi ka nënvizuar se është gati për të ringjallur ish-juventinin Moise Ken, të paguar në verë 27 milionë euro, “Karleto” kërkon edhe një prej yjeve të ish-skuadrës së tij.
Emri i parë në listën e Ançelotit është ai i Lorenco Insinjes, sulmuesit anësor italian, i cili është në krisje totale me presidentin Aurelio De Laurentis dhe ndoshta pista angleze mund ta joshë jo pak.
28- vjeçari, të paktën sipas asaj që raporton francezja “Le10sport.com”, ka pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me Ançelotin dhe mund ta pranonte me shumë qejf pistën “Everton”.





