Carlo Ancelotti ka vendosur të largohet nga Real Madrid në fundin e sezonit. Lajmi jepet nga radioja spanjolle “Onda Cero”. Edhe pse Ancelotti e ka kontratën të vlefshme deri në verën e vitit 2026, gjithçka do të mbyllet më parë.
Kujtojmë se 65-vjeçari italian u kthye te madrilenët në verën e vitit 2021, pasi kishte fituar një Champions League me këtë klub në vitin 2014. Që nga kthimi i tij ka fituar edhe dy herë të tjera Champions League, pa përmendur këtu edhe kampionate e kupa në Spanjë.
Ky sezon nuk po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme për Realin, edhe pse kryeson kampionatin në Spanjë. Tifozët vërshëllyen Ancelottin pas humbjes 5-2 në Superkupë ndaj Barcelonës, ndërsa në Champions renditen në vendin e 20 të fazës së grupeve.