Carlo Ancelotti, tashmë është një trajner legjendë në futbollin europian. 57-vjecari italian me shpalljen matematikisht të Bayernit kampion i Bundesligës, shndërrohet trajneri i parë që arrin ta fitojë titullin në katër nga pesë kampionatet më të forta në Europë, në Serinë A, Premier League, Ligën e parë franceze dhe së fundmi në Bundesligë. Por nuk duhet harruar fakti që në krye të Realit edhe pse nuk u shpall kampion i Spanjës arriti të triumfonte në Championsin League për herë të tretë si trajner. Statistikat e tij janë mjaft domethënëse, kush shkon Ancelotti gjithmonë fitohen trofe.
Në një nga periodat më të vështira të karrierës së tij, pikërisht pas eliminimit nga Reali në Champions dhe Borussia e Dortmundit në Kupën e Gjermanisë, reagoi sic ka ditur të bëjë gjithmonë, duke folur në fushë. Bayerni shkatërroi 6-0 Wolfsburgun duke e siguruar titullin tri javë para fundit. Në Bavari në fakt suksesi në kampionat është kthyer në rutinë në 5 sezonet e fundit, por jo për trajnerin italian, që me titullun e Bundesligës mbylli një “tur” të gjatë plot me trofe në Europë, të cilin e nisi me Milanin në vitin 2003. Pavarësisht kritikave për mënyrën e menaxhimit të Bayernit, Ancelotti konfirmoi natyrën e një trajneri fitues. Suksesi i fundit në Gjermaninë e përfshin Ancelottin në listën e 10 trajnerëve më fitues, pasi ka koleksionuar plot 19 trofe. Një klasifikim ky që dominohet nga Sir Alex Ferguson, Lobanovsky dhe Guardiola, pa harruar Lippin dhe Mourinhon.