22 janar 2015 – Vetëm pak ditë më parë Carlo Ancelottti deklaronte se të drejtosh Realin e Madridit është puna më e lehtë në botë, në fakt duhet të jetë edhe më frytëdhënësja, duke qenë se falë sukseseve në një vit të jashtëzakonshëm në drejtimin e Los Blancos, trajneri italian është shpallur si trajneri më i mirë i 2014-ës nga IFFHS, Federata ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave në Futboll. Në këtë mënyrë Ancelotti rikthehet ta fitojë këtë vlerësim pas plot 7 vitesh pasi ishte nderuar me çmimin në fjalë në 2007 kur drejtonte Milanin.
Në votimin për trajnerin më të mirë të vitit për 12 muajt që lamë pas Ancelotti mposhti homologun e tij të Atleticos së Madridit, Diego Simeonën, gara mes të dyve ishte mjaft e fortë duke qenë se Ancelotti zuri vendin e parë me 169 vota, ndërsa El Cholo që arriti një sukses vërtet të pabeuseshëm duke i rrëmbyer me Atleticon titullin e La Ligas Realit dhe Barcelonës e madje i çoi Los Colchoneros deri në finalen e Championsit mori vetëm 30 vota më pak.
Në vendin e tretë i shkëputur nga dy trajnerët e skuadrave të Madridit ndodhet Pepe Guardiola që koleksionoi 76 preferenca. Menjëherë pas treshes së podit vjen i vetëquajturi speciali Jose Mourinho. Trajneri aktual i Chelsea gjithsesi duhet thënë se ndodhet goxha larg Guardiolës, rivalit të tij të dikurshëm në Spanjë me vetëm 15 preferenca. Pas portugezit vijnë Unai Emeri i Sevillasj dhe Manuel Pellegrini i Manchester Cityt ndërsa interesant është fakti se në vendin e 7 ndodhet Jurgen Klopp që pas një fundi katastrofik të 2014 në kampionat i duhet të mendojë për të shpëtuar mbijetesën e Borussias së Dortmundit në Bundesliga. 10-shja e trajnerëve më të mirë në botë në nivel klubesh plotësohet me Antonio Conten që gjatë viti të kaluar shpalli për herë të tretë radhazi Juventusin kampion të Italisë, si dhe Ronald Koeman dhe Rudi Garcian.





