Numërimi mbrapsht nuk e shqetëson sepse ka mësuar të masë emocionet dhe sepse Champions League është kopshti i tij i shtëpisë dhe nuk ka njeri që di t’i afrohet një finaleje si ai.

Carlo Ancelotti është gati të provojë sërish, të ngjitet në shkallën më të lartë të Europës me Realin e tij.

“Historia jonë identifikohet me këtë kompeticion që nga krijimi i tij: në 10 vitet e para Reali e fitoi gjashtë herë, por nuk do të jetë e lehtë me Dortmundin. Janë të fortë, kalojnë nga mbrojtja në sulm për një çast. Eliminuan PSG-në në gjysmëfinale dhe Atleticon në çerekfinale”, tha Carlo Ancelotti për Repubblica

Receta e zakonshme e trajnerit italian është: “Qëndrimi i duhur dhe aftësia për të shfrytëzuar rastet, di të gëzojë privilegjin e një pune që është edhe lojë”.

Ndërkohë, Wembley po i afrohet…

“Brokkoli, salmon, makarona. Një orë gjumë pas dreke nëse mundem. Në çdo rast, para ndeshjes zemra ime do të rrahë në 120, si gjithmonë. Por më pas në fushë ritmi kthehet në normalitet”.

Nga Reali te Milani i tij: “E ndjek skuadrën nga larg, me dashuri. Nga kuqezinjtë është rikthyer një Brahim Diaz i jashtëzakonshëm. Milani ka një talent të madh si Leao. Nëse ai do të ishte me mua, do ta godisja çdo ditë…”.

Sa i përket Italisë, ai tha se të kaltërit po rikthehen, por nuk kanë kampionë, me përjashtim të portierit Donnarumma.

Lidhur me Real Madridin që do të vijë dhe Mbappé, Ancelotti tha: “Unë po flas për ata lojtarë që unë i stërvit tani, të cilët janë shumë të fortë. Vinicius po përmirësohet çdo ditë, Bellingham e kuptoi menjëherë se çfarë do të thotë Reali. Është një grup shumë i bashkuar, siç tregohet nga mënyra sesi ata reaguan ndaj problemeve serioze të Courtois dhe Militao në pak ditë”.