Kandidatja e Partisë Demokratike për Qarkun e Durrësit, Andia Ulliri, ka dorëzuar një ankesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku kërkon rishikimin e shpërndarjes së mandateve, duke pretenduar se është shkelur kuota gjinore në rastin e deputetit Arjan Ndoja.

Në kërkesën drejtuar KQZ-së, Ulliri argumenton se përzgjedhja e Ndojës si fitues, në bazë të votave parapëlqyese, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Ajo thekson se renditja aktuale e publikuar në faqen zyrtare të institucionit nuk garanton përfaqësimin e duhur gjinor, siç parashikohet në ligj.

“Veprimi juaj për të shpallur të zgjedhur z. Arjan Ndoja, i cili është renditur i pari në listë me vota parapëlqyese, është në kundërshtim me ligjin dhe përbën një shkelje të parimit kushtetues për përfaqësimin gjinor”, thuhet në ankesën e saj.

Ulliri i referohet ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor, të miratuara nga Kuvendi, ku thuhet se një në çdo tre kandidatë fitues, pas rirenditjes nga votimi parapëlqyes, duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.

“Në rastet kur nga rirenditja nuk rezulton që, duke filluar nga kreu i listës, një në tre emra t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, atëherë kandidatja e tretë në këtë listë dhe në vijim një në çdo tre emra të saj i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar sipas numrit të votave që kanë marrë”, thuhet në ankesë.

Ajo mbështet interpretimin e saj edhe në një vendim të Gjykatës Kushtetuese (Nr. 85, datë 24.12.2024), ku është sanksionuar se lista zgjedhore është unike dhe kuota gjinore duhet respektuar në ndarjen përfundimtare të mandateve.

“Interpretimi i bërë nga KQZ është i pambështetur në ligj dhe në asnjë vendim të Komisionit Rregullator. Kemi të bëjmë me një listë unike, e cila duhet të garantojë që 1 në 3 fitues të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar”, përfundon ajo në kërkesë.