Këngëtari i operës italiane Andrea Bocelli ka thënë se është ndjerë “i poshtëruar dhe ofenduar” nga masat bllokuese të vendosura në vend për shkak të koronavirusit.

“Unë nuk mund të largohesha nga shtëpia edhe pse nuk kisha bërë asnjë krim,” tha Bocelli.

Ai gjithashtu pranoi se nuk u bindej rregullave te izolimit dhe beson se ashpërsia e pandemisë kishte qenë e ekzagjeruar. Komentet e tij do të befasojnë shumë pasi ai ishte bërë një simbol i unitetit kombëtar në kulmin e izolimit.

Të dielën e Pashkëve, Bocelli këndoi i vetëm në një katedrale të shkretë të Milanos në një shfaqje solo të transmetuar drejtpërdrejtë të quajtur ”Muzikë për Shpresën”.

Bocelli bëri komentet  e tij në një konferencë në Senatin e Italisë, ku morën pjesë politikanë të opozitës përfshirë Matteo Salvini, lideri i partisë së ekstremit të djathtë të “Lega Nordit”. Salvini ka sulmuar qeverinë e kryeministrit Giuseppe Conte për trajtimin e krizës shëndetësore në Itali.