Andrea Tedesco, trajneri i ri i Kombëtares U-17, ka mbërritur në Shqipëri për të nisur menjëherë për eksperiencën e tij të në krye të kuqezinjve të vegjël.
Tedesco merr këtë detyrë në një moment të rëndësishëm me Kombëtaren U-17 që do të marrë pjesë për herë të parë në fazën finale të Kampionatit Europian U-17 të vitit 2025, që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, në bashkëpunim me UEFA-n.
Në prononcimin e tij të parë për Fshf.org, tekniku italian rrëfeu fillimet e tij si trajner, duke nisur nga Casertana dhe më tej te Napoli dhe Kombëtarja U-19 e Maltës, pas të cilave mori ftesën për drejtimin e Kombëtares U-17.
“Kam filluar të trajnoj në Seria C në Itali, me ekipin e Casertana-s dhe më pas kam shkuar në Rumani, në Serinë A rumune me ekipin FC U Craiova, ku kam mbajtur rolin e zv.trajnerit. Pas kësaj eksperience kam nisur të trajnoj fillimisht të rinjtë, si trajner i U-19-ës së Maltës. Më pas kam shkuar te Napoli, fillimisht te ekipi i U-18 dhe më pas kam trajnuar ekipin e të rinjve këtë vit. Ndërkohë erdhi telefonata e drejtorit teknik të FSHF, Fulvio Pea që më krijoi këtë mundësi për të ardhur këtu dhe për të drejtuar kombëtaren U-17 të Shqipërisë”, – u shpreh Tedesco, i cili ka një eksperiencë të vyer në punën me të rinjtë.
Më tej, ai u ndal me gjatë te akordi me Federatën Shqiptare të Futbollit për rolin e trajnerit të Kombëtares U-17 dhe rëndësinë e organizimit të finaleve të Kampionatit Europian për U-17 në Shqipëri vitin tjetër.
“Kur kam komunikuar me FSHF-në nuk kishte shumë për t’u thënë, pasi kemi rënë shpejt dakord, e më pas janë dashur disa javë për të përfunduar negociatat. Sigurisht, e kuptoj rëndësinë e madhe që ka të punosh me Kombëtaren U-17, sepse është një moment historik për komunitetin futbollistik, për të gjitha mundësitë që do të kemi, për ata që dalin në fushë, për të gjithë skuadrën, drejtuesit dhe vetë Federatën.
Është hera e parë që Kombëtarja U-17 merr pjesë në finalet e një Europiani, për më tepër që luan në shtëpi dhe para publikut të vet, dhe jam i bindur të gjithë tifozët, familjarët dhe lojtarët vetë kanë privilegjin për të luajtur ndeshjet e grupeve dhe do të jenë shumë të lumtur dhe do të japin gjithçka. Edhe ne si staf do të japim gjithçka”, – theksoi tekniku italian.
Tedesco theksoi gjithashtu që futbolli në Shqipëri ka pësuar një rritje të dukshme dhe që përfaqësimi i vendit në një kompeticion europian është një privilegj.
“Është e dukshme që futbolli në Shqipëri është rritur gjatë viteve të fundit, qoftë falë investimeve që vijnë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe klubet e shumta. Ndaj, të jesh këtu është privilegj dhe krenari dhe do të bëjmë gjithçka për ta përfaqësuar këtë komb me anë të futbollit, kur të vijë mundësia për të luajtur ndeshje dhe për t’iu afruar një kompeticioni europian”, – shtoi trajneri i Shqipërisë U-17.