Anemia është një sëmundje e përhapur në shkallë të gjerë në Shqipëri. Për të parandaluar rritjen e numrin të anemikëve në vendin tonë duke nisur nga fillimi i këtij viti fabrikat e miellit detyrohen të hedhin në treg vetëm miell, të cilit i shtojnë acid folik, zink dhe vitaminë B6 dhe B12. Ministria e Shëndetësisë dhe OBSH-së ndërmorrën këtë masë me qëllim uljen e shifrave të anemisë, pasi rreth 30 % e popullsisë së vendit tonë rezulton anemike për shkak të kequshqyerjes. Po cilat janë shkaqet që çojnë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje dhe si mund të parandalohet dhe kurohet ajo?

Çfarë është anemia?

 Rruazat e kuqe të gjakut, eritrocitet, janë nga qelizat më të përkryera të organizmit sepse ato nuk kanë bërthamë, nuk kanë organela, sigurojnë sipërfaqen më të madhe për një volum të caktuar, sigurojnë energjinë e nevojshme nga rrugë jo shumë efektive siç është glikoliza anaerobe, kalojnë shumë herë në ditë në mikroqarkullim (stres mekanik dhe hipoksik), çdo 20 sekonda bëjnë qarkullim në të gjithë trupin dhe të gjitha këto për 120 ditë. Pra kjo qelizë bën “këto sakrifica”; boshatis pothuajse plotësisht citoplazmën dhe merr formën e një disku bikonkav për ta mbushur me një pigment kryesor, hemoglobinën, që ka në qendër një atom hekuri. Është hemoglobina e rruazave të kuqe dhe pikërisht atomi i hekurit që bën transportin e oksigjenit për tek të gjitha indet. Defiçiti i hekurit në organizëm pasohet midis të tjerave, me pakësimin e hemoglobinës tek rruazat e kuqe. Pikërisht pakësimi sasior i hemoglobinës njihet si anemi dhe duke vënë në dukje shkakun, anemia cilësohet si ferrodeficitare; pra për shkak të mungesës së hekurit.

Anemia Ferriprive

Anemia Ferriprive është anemia më e shpeshtë në botë dhe shumë e shpeshtë tek femrat në periudhën riprodhuese për shkak të hemoragjisë së vazhdueshme të menseve gjatë ciklit menstrual. Anemia Ferriprive shpesh quhet dhe anemia nga hemoragjia. Pra në përgjithësi ka në bazë të saj humbjen e hekurit për shkaqe të ndryshme, me pasojë pakësimin e rezervave të tij në organizëm dhe pastaj shfaqet nga ana klinike dhe laboratorike. Kjo do të thotë se nëse hiqet shkaku dhe mbushen depot,me anë të mjekimit që vazhdon të paktën 3 muaj, anemia shërohet dhe nuk përsëritet. Nëse shkaku persiston, pavarësisht mbushjes së depove, anemia do të përsëritet. Duhet theksuar se hekuri nuk merr pjesë vetëm në transportin e oksigjenit, por ai shërben si faktor i përbashkët i shumë enzimave të organizmit me funksione jetike për të. Pra pasojat e defiçitit të hekurit janë jo vetëm hematologjike, por dhe jo-hematologjike; preken indet që shumëzohen shpejt si epiteli i mukozave dhe i lëkurës.

Pasojat klinike të defiçitit të hekurit në organizëm

Pasojat klinike të defiçitit të hekurit janë; hematologjike dhe jo-hematologjike. Klinika hematologjike e defiçitit të hekurit shprehet në radhë të parë me zhvillimin e anemisë ferriprive me klinikën e sindromit anemik. Simptomat që shfaqen janë dobësi, lodhje, këputje, palpitacione, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje koke, miza para syve, zhurmë në vesh etj. Tek moshat e avancuara dhe kur instalohet shpejt mund të shfaqen dhe simptomat e angina pektoris etj. Shenjat e përgjithshme janë zbehja e lekurës dhe e mukozave të cilat shfaqen kur Hb është më pak se 9-10 gr/dl). Anemia duket më mirë në membranat mukoze si buzët, goja, faringu, konjuktivat, në llapat e veshit, shuplakat e duarve dhe në shputat e këmbëve.

Shkaqet kryesore të deficitit të hekurit

Shkaqet kryesore të defiçitit të hekurit janë disa dhe pak më poshtë do të jepen të specifikuara disa  prej tyre:

Humbja kronike e gjakut

a) Metrorragjitë dhe menometrorragjitë; menstruacionet janë shkaku kryesor i humbjes së gjakut dhe shkaktimit të anemisë tek femrat në periudhën riprodhuese.
b) Trakti Gastro-Intestinal ku shkaqet janë nga më të ndryshmet: hernie hiatale, variçe, ezofagu, përdorimi i Aspirinës, gastritet dhe ulçerat e duodenit dhe stomakut, gastritet atrofike, tumoret e ndryshme, rezeksioni i stomakut, fisurat anale, hemorroidet etj.
c) Shkaqe urologjike; Humbje e gjakut nëpërmjet aparatit urinar.

 

Nevojat e rritura për hekur

Ky fenomen konstatohet në periudha të ndryshme të jetës së njeriut si: fëmijëria, adoleshenca, shtatzania, laktacioni etj.

Marrja jo adekuate e hekurit me anë të ushqimeve

Është më e rrallë dhe është matur se duhen mesatarisht 8 vjet, që një njeri normal që nuk merr hekurin e mjaftueshëm në ushqim, të zhvillojë anemi.

Mospërthithja e mirë e hekurit

Heqjet kirurgjikale të stomakut, të një pjese të zorrës së hollë, apo sëmundjet kronike të zorrës të patrajtuara mund të pakësojnë përthithjen e hekurit. Një ndër manifestimet e defiçiencës së hekurit sidomos tek fëmijët është dhe Pica – gëlltitja e substancave jo të zakonshme si dheu, akulli, flokët, suvaja e mureve etj.  

Parazitët, zhvillojnë defiçitin e hekurit

Çdo parazit në këtë rast mund të shkaktojë një humbje gjaku prej 0.05 ml/ditë.

Faktorë të tjerë

 

Pacientët me dializë në 50% të rasteve zhvillojnë anemi ferriprive. Kur nuk gjendet një shkak i dukshëm për zhvillimin e defiçitit të hekurit dhe pasojave klinike të tij përdoret termi i “anemisë hipokromike idiopatike”. Një shkak tjetër është dhe e ashtuquajtura Anemia e Marshimit. Në një studim në SHBA është parë se 56% e vrapuesve të garave (atletëve konkurues) kanë defiçit të hekurit (Hemogobinuria e marshimit).
 

Trajtimi i defiçitit të hekurit

Parandalimi apo kurimi i anemisë mund të realizohet përmes eleminimit të shkakut nëse është e mundur dhe mjekimit me preparatet e hekurit. Mjekimi më ekonomik dhe efektiv në trajtimin e defiçitit të hekurit është administrimi oral i kripërave të sulfatit të hekurit. Ferri sulfati është preparati më efektiv, më mirë i tolerueshëm dhe më pak i shtrenjtë. Aktualisht në Shqipëri ferri sulfati gjendet në formën e Retaferit, i cili përmban 100 mg hekur elementar. Doza ditore terapeutike e hekurit është 180-200 mg Fe elementar. Kjo do të thotë që duhen dy tableta në ditë. Hekuri thithet më mirë kur merret me stomakun bosh, ndërsa kur merret pas ushqimit ose së bashku me të thithja e hekurit pakësohet me 40-50%. Por irritimi i mukozës gastro intestinale është i shpeshtë, kur hekuri merret me stomakun bosh. Qëllimi i mjekimit nuk është vetëm shkalla e rritjes së Hb, por edhe mirëqënia e pacientit. Pra këshillohet që pacienti ta marrë preparatin e hekurit në mes të ushqimit ose pas tij, sepse suportimi i mjekimit është më i rëndësishëm se pakësimi i thithjes së hekurit. Thithja e hekurit rritet kur preparati merret në prani të lëngut të portokallit ose limonit, mishit, peshkut, vitaminës C dhe frenohet kur merret në prani të qumështit, çajit, tetraciklinës, kinoloneve, metildopës, kalçiumit dhe çerealeve. Dhe sasia e ushqimit ka rëndësi. Sa më e madhe sasia e ushqimit të ngrënë aq më mirë do të tolerohet preparati i hekurit.

Është parë gjithashtu se hekuri tolerohet mirë kur merret duke e rritur dozën gradualisht derisa të arrihet për disa ditë doza e plotë e preparatit. Nëse shfaqet ngacmimi i mukozës gastro-intestinale dhe kur shkalla e anemisë është e lehtë dhe/ose largohet shkaku mund të bëhet mjekimi i anemisë ferriprive me një dozë terapeutike të hekurit deri në 100 mg/ditë. Në këtë mënyrë ulim shpejtësinë e përgjigjes ndaj mjekimit, por rrisim tolerancën ndaj tij. Nëse pacienti nuk e toleron Ferri sulfatin, mund të përdoren kripërat e tjera të hekurit: glukonat, fumarat, laktat, suksinat. Disa prej tyre janë më të shtrenjta se Ferri sulfati. Në disa raste mund të bëhet korrigjimi i defiçitit të hekurit duke marrë hekur në rrugë intramuskulare ose intravenoze që duhet theksuar se është jo vetëm më e kushtueshme se mjekimi oral, por ka dhe rrezikun e një sërë efekteve anësore dhe preferohet të bëhen në qendra të specializuara. Mjekimi si rregull vazhdon minimumi 3 muaj; 6 javë për të eleminuar klinikën e defiçitit të hekurit dhe 6 javë për të mbushur depot. Por mund të vazhdojë dhe më gjatë nëse nuk eleminohet shkaku. Pra qëllimi i mjekimit nuk është thjeshtë normalizimi i simptomave dhe shenjave të defiçitit të hekurit, por edhe normalizimi i numrit të rruazave të kuqe dhe të hemoglobinemisë dhe mbushja e depove. Mbushja e depove vlerësohet me normalizimin e ferritinemisë.