Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Serbi, Milovan Drecun, ka thënë se për Serbinë nuk është e pranueshme asgjë që e kthen Kosovën në shtet me kapacitet të plotë juridik ndërkombëtar, përkatësisht anëtarësim në Kombet e Bashkuara.
“Nëse Kosova bëhet anëtare e OKB-së, nuk do të kthehet më në Serbi, kjo për ne nuk është e pranueshme”, theksoi ai.
Sipas mediave serbe, duke folur për propozimin e Francës dhe Gjermanisë, Drecun tha se Serbia do të duhet të mendojë për këtë dhe se nuk mund të shtyhet vetëm anash. Ai vlerësoi se çështja e Kosovës dhe deri në çfarë mase Serbia do ta ndjek politikën e jashtme të BE-së, në radhë të parë ndaj Rusisë, janë të lidhura.
“Duhet të shohim se sa do të mund të durojmë dëmin që na është shkaktuar sepse nuk ndjekim politikën e BE-së ndaj Rusisë. Kur dëmi është më i madh se përfitimi, do të duhet të korrigjojmë politikën tonë nëse duam të luftojmë. për interesat tona”, tha ai.
Drecun tha gjithashtu se zyrtarët rusë duhet të kenë pak më shumë kuptim për pozicionin e Serbisë dhe shtoi se Beogradi do të duhet të vendosë në një moment që të përdorë një lloj sanksionesh kundër Rusisë.
“Nëse kjo do të ndodhte, askush nuk duhet të inkurajojë destabilitetin e brendshëm në Serbi, nuk duhet të jetë në interes as të Perëndimit dhe as të vendeve mike,” shtoi Drecun.
Ai theksoi se ka nevojë për mbështetjen e Rusisë në OKB rreth Kosovës dhe se Serbia. është e varur nga Rusia për energji. Ai shtoi se është i befasuar që vetë Rusia nuk e njeh peshën e situatës në të cilën ndodhet Serbia, edhe pse zyrtarët e tyre thonë se po ushtrohet presion i fortë ndaj Serbisë.
“Rusët janë të zënë me problemet e tyre, por gjithashtu po na shtyjnë në probleme të reja”, tha ai.
Një propozim i ri thuhet se ka shkuar në tryezën e Kurtit dhe Vuçiç një muaj më parë përsa i takon vijimit të dialogut Kosovë-Serbi nga këshilltarët e Macron dhe Scholz. Në thelb flitet për modelin e dy gjermanive i cili do të nënkuptonte se Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës, por nuk e njeh zyrtarisht atë, kjo nënkupton edhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në këmbim të këtij veprimi Serbisë do ti lehtësohej procesi i integrimit drejt BE si dhe do ti jepen ndihma të mëdha financiare.





