Shtetet e Bashkuara deklaruan se Turqia dhe Hungaria duhet të miratojnë anëtarësimin e Suedisë në NATO brenda këtij viti.
SHBA kërkon të miratohet anëtarësimi i Suedisë në NATO deri në Samitin e korrikut, deklaroi Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili vizitoi bazën detare suedeze Muska, afër Stokholmit. Austin i bëri thirrje Turqisë dhe Hungarisë që të ratifikojnë anëtarësimin e Suedisë në Aleancë “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe përpara samitit të ardhshëm të aleancës në fillim të korrikut.
“Ne mezi presim që së shpejti të mirëpresim Suedinë si anëtaren e 32-të. Dhe për të qenë të qartë, ne presim që kjo të ndodhë përpara samitit të korrikut,” tha ai.
Sipas analistëve, çështja do të jetë në varësi të rezultatit të zgjedhjeve të Turqisë më 14 maj, ku presidenti Rexhep Tajip Erdogan kandidon për një mandat të ri.
Turqia akuzon kryesisht Suedinë se është një strehë për “terroristët” kurdë armiqësorë ndaj Ankarasë, duke kërkuar dhjetëra deportime.