“Sot me dituri e mençuri, ne vendet tona mund t’i kemi shumë shpejt anëtare të BE. Ashtu siç jemi në NATO, nesër do të jemi edhe në BE”. Kështu u shpreh kreu i BDI, Ali Ahmeti në fjalën e mbajtur në Samitin e Tretë të Diasporës që mbahet në Tiranë.
“…Sot Kosova është shtet i pavarur, shqiptarët në RMV janë shtetformues me të gjitha vlerat që i takojnë një kombi, me flamur, gjuhë, universitete. Shqiptarët në Mal të Zi, mbase nuk e kishin ëndërruar që do të ketë një kryeministër shqiptar, Dritan Abazoviç. Ndaj e pazëvendësueshme ka qenë mërgata shqiptare, historikisht. Që nga Bukureshti, Stambolli, Egjipti dhe më në fund, më e reja, por e larë me gjak, ajo e Europës dhe që kulmoi me UÇK. Luftërat i fituam edhe politikisht, edhe ushtarakisht edhe diplomatikisht. Sot kemi një luftë të re dhe më të fortë, t’i bëjmë të begatë atdheun tonë. Të organizohemi shumë më fort sesa jemi të organizuar. Dhe këtë mundësi mërgata e ka. Të gjithë të përkushtohemi, të gjithë të rinjtë le të kapin diturinë në universitetet me të mirë të Europës dhe SHBA dhe t’i kthehen kokëplot atdheut të tyre. Sot me dituri e mençuri, ne vendet tona mund t’i kemi shumë shpejt anëtare të BE. Ashtu siç jemi në NATO nesër do të jemi edhe në BE.”
Ahmeti theksoi se Europa nuk mund të jetë e qetë pa Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi. Një mesazh të drejtëpërdrejtë e kishte edhe për kryeministrin Edi Rama.
“Dhe Europa nuk mund të jetë e qetë edhe pa Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi. Nuk mund të ketë paqe, stabilitet e siguri pa Ballkanin Perëndimor. Në fund të fundit, djepi i Europës është Mesdheu, prandaj ne vendin e kemi aty, por me përkushtim duhet punuar dhe asgjë e parealizueshme nuk mund të jetë. I dashur Edi, ne mendojmë që jemi një hap para anëtarësimit dhe pak duhet, edhe më fort ta ngresh zërin, edhe më fort se sa e ke ngritur deri më tani. Ne të tjerët nuk na ke pasur, por na ke në krah”.