10 gusht 2014 – Anëtarët e Këshillit Mbikqyrës janë ndër më të paguarit, duke ia kaluar për nga paga edhe vetë Presidentit Nishani dhe deputetëve të Kuvendit. Krahasuar me këta të fundit, paga e tyre është 2.5 herë më e lartë. Por a janë mjaftuar ata vetëm me pagën prej 4 milionë lekësh në muaj? Anëtarët e Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë jo vetëm nuk e kanë përfillur një pagë të tillë, por ata vetëm një vit më parë kanë marrë plot 2.6 milionë dollarë si shpërblime. Por skandali nuk mbaron këtu. Këshilli Mbikqyrës ka edhe privilegje të tjera të cilat ia njeh ligji për Bankën e Shqipërisë dhe që sigurisht nuk ka harruar t’i shfrytëzojë. Vetëm për vitin 2013, anëtarët e Këshillit dhe drejtues të bankës kanë përfituar 140 milionë lekë për të marrë kredi me interes 0.5% për 30 vjet, interes më i ulët edhe se inflacioni. Këto kredi janë marrë në kulmin e krizës, kur Ministria e Financave u detyrua të rrisë borxhin publik që të paguante muajt e fundit pagat në administratë. Po gjatë këtij viti, pesë milionë lekë, ose 50 mijë dollarë kanë shkuar si shpenzime telefoni për anëtarët e bordit, ndërsa për paga dhe bonuse janë dhënë 1.2 milion dollarë, ose 120 milionë lekë të rinj.
Këto shpenzime janë të njohura me Ligjin për Bankën e Shqipërisë, ku neni 45 thotë se Këshilli Mbikëqyrës vendos për shpërblimin e anëtarëve, duke përfshirë këtu pagën, shpërblimet suplementare madje dhe “kompensime monetare për kalimin e kohës së lirë si dhe masën e kredive për banesë”. Pavarësisht nga rekomandimet e KLSH të vitit të kaluar për ndryshim të legjislacionit në këtë pikë, as mazhoranca e kaluar dhe as ajo aktualja nuk kanë marrë deri tani asnjë masë për të kufizuar privilegjet unike të drejtuesve të Bankës së Shqipërisë. Bordi mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka privilegjet më të larta se shumë poste të tjera publike. Si një institucion i pavarur, ai duhet të ketë staf të aftë teknik që gëzon të drejta të tilla. Por, deri më sot në vendimmarrjen e bankës kemi parë të mos kenë suksese të spikatura shumë prej politikave të ndërmarra, që nga norma e ulët e inflacionit, bllokimi i kredive dhe deri te vjedhja e mbi 7 milionë dollarëve në thesar. Dhe ky skandal ende nuk dihet nëse erdhi për shkak të moszbatimit të rregullave, apo nga mungesa e vendimeve që duhet të kishte marrë bordi.





