I njohur si presidenti i parë i Klubit Rotarian Durrës, Edgar Frashëri, prej vitesh është zhvendosur në Tiranë, por lidhjet me qytetin e lindjes nuk i ka humbur.

Me ftesë të presidentit aktual të Klubit Rotarian, Jonadri Prodani, Frashëri ishte pasditen e së enjtes mes miqve dhe kolegëve të dikurshëm, me të cilët ndau shumë sfida në vitet e para të themelimit të Klubit.

“Italianët ç’është e vërteta ishin të vjetër në këto punë, nuk ishin fillestarë siç ishim ne dhe mundoheshin të na thonin që ne të reformoheshim, pasi Klubi Rotarian ka disa parime të cilat ju nuk i keni pasur deri më tani dhe nuk i keni njohur. Pavarësisht nga raca, gjinia, ngjyra apo gjuha, pavarësisht nga etnia etj rotarianët nuk bëjnë dallim dhe ky është misioni i rotarianëve.” ,- tha Frashëri.

Ndërsa në monitor shfaqeshin fragmente nga disa nga momentet më vendimtare që përcaktuan rrugën përmes së cilës do të rritej dhe zhvillohej Klubi Rotarian, arkitekti Frashëri u kujtoi të pranishmëve përshtypjet e para që rotarianët italianë kishin për klubin e Durrësit.

“Korrektësia jonë kam përshtypjen se ka lënë gjurmë edhe tek ata andej matanë. Pra me Klubin e Durrësit, nuk bëhen pazare kollaj. Ne kemi bërë për vite me radhë, deri në vitin 2000, misionin e shpërndarjes së të gjitha fondeve në format nga më t5 ndryshmet, deri tek dorëzimi i librave nëpër shkolla etj“,- tha ndër të tjera presidenti i parë i Klubit të Durrësit.

Sfidat e Klubit Rotarian Durrës, por edhe sivëllezërve të tij në Shqipëri dhe Kosovë janë të shumta në muajt e fundit, pasi tashmë të gjithë rotarianët shqiptarë janë bashkuar në një distrikt të tyrin. I krijuar më 13 qershor të këtij viti dhe i njohur si distrikti 24 85, klubeve rotariane u janë bashkuar së fundmi shumë anëtarë të tij, të cilët përmes shkëmbimit të përvojave dhe eksperiencave me themeltarët e klubeve forcojnë më shumë lidhjet mes tyre dhe njëkohësisht angazhohen në projekte humanitare në ndihmë të komuniteteve më në nevojë.

M.B.