Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i janë bashkuar nismës së shumë institucioneve shtetërore për të kontribuar përmes pagës së tyre në buxhetin e shtetit për përballimin e situatës së fatkeqësisë natyrore, të shpallur me vendimin nr.243, datë 24.3.2020, të Këshillit të Ministrave.

“Në përgjigje të thirrjes për ndihmë, 8 komisionerë të KPK-së do të dhurojnë menjëherë 50% të pagës mujore neto, të muajit prill 2020. Dy komisionerë të tjerë kanë përkrahur nismën, duke shprehur vullnetin të kontribuojnë nëpërmjet pagës sipas vlerësimit të tyre individual/ nëpërmjet llogarive në bankat e nivelit të dytë. Nuk mund të kontribuojë një anëtar, i cili po trajtohet me pagesë të paaftësisë së përkohshme në punë”, thuhet në njoftimin për median.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është i angazhuar për të çuar përpara procesin me rëndësi kombëtare të vettingut në sistemin e drejtësisë, por njëkohësisht ndjen po të njëjtën përgjegjësi qytetare për situatën ku ndodhet vendi, vijon deklarata.