Gjyqtari Asim Vokshi ka bërë betimin para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke u bërë anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese. Ai zëvendëson Holta Zaçajn, e cila përfundoi mandatin e saj në muajin prill.
Vendimi për shpalljen e Vokshit fitues u dha nga Gjykata e Lartë, por u kundërshtua nga kandidati tjetër, Naureda Llagami. Llagami pretendonte, në Gjykatën Administrative dhe më pas në Kushtetuese, se një votë e pavlefshme i takonte asaj, gjë që do ta bënte fituese të garës. Kërkesa e saj u rrëzua, duke hapur rrugën për betimin e Vokshit.
Me largimin e Zaçajt, Gjykata Kushtetuese duhet të zgjedhë edhe një kryetar të ri. Deri në këtë zgjedhje, drejtimi i përkohshëm i institucionit ushtrohet nga nënkryetarja Marsida Xhaferllari.





