Avokatja e të drejtave të njeriut, Amal Clooney është një nga pretendentët e çmimit Nobel për paqen, për 2017-ën, një reflektim ky për punën e saj me minoritetin e persekutuar Jazid, në Lindjen e mesme.

Clooney ka përfaqësuar një grua jazide, që ishte përdhunuar dhe torturuar nga Shteti Islamik, që është po ashtu pretendente për Nobelin, në Kombet e Bashkuara, në mars të këtij viti, duke kritikuar organizmin ndërkombëtar për mos veprim. 

Ajo po ashtu ka kërkuar që krimet e Shtetit Islamik të hetohen dhe përndiqen. Amal Clooney, e diplomuar në Oksford, ka mbrojtur një numër rastesh të profilit të lartë në fushën e të drejtave të njeriut, gjatë karrierës së saj. 

Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, që sapo fitoi mandatin e katërt në zgjedhjet në Gjermani, është përmendur si fituese e mundshme e çmimit Nobel për paqen, për politikat e saj për refugjatët.

Ajo është lëvduar shumë për politikën e dyerve të hapura për emigrantët, në kohën kur Evropa përballej me një fluks prej qindra e mijëra refugjatëve, pjesa më e madhe e të cilëve largoheshin nga konfliktet në Lindjen e mesme.  Në 2015-ën, ajo u tha gjermanëve se duhet të krenoheshin me mikpritjen e ofruar për qindra e mijëra azilkërkues, shumica prej tyre të larguar nga luftrat dhe përndjekja. 

Të tjerë fitues të mundshëm, përmenden presidenti i Sri Lankës, Unioni Amerikan për Liritë Civile, ekipi i negociatorëve pas marrëveshjes bërthamore me Iranin, Papa Francesku, Eduard Snouden etj.

Çmimi Nobel për paqen do të shpallet në Oslo të premten, më 6 tetor. Me vlerë 9 milionë krona suedeze, ose 1.12 milionë dollarë, ai do të dorëzohet në 10 dhjetor 2017./TCH/