LONDËR, 1 mars 2013 – Problemet politike dhe privatizimi i kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol kanë shtyrë aplikimin e kompanisë britanike “Adriatic Oil” për të marrë lejen për kërkime në det në bllokun e Rodonit të Veriut (qarku i Durrësit) në Shqipëri, njoftonte më 1 mars 2103 e përmuajshmja e famshme “Offshore Magazine” në versionin on-line.

Revista e specializuar i referohet një komunikate për shtyp të kompanisë londineze se bordi i aksionarëve kishte bërë të ditur se diskutimet me Ministrinë shqiptare të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Albpetrolin janë në vazhdim e sipër dhe procesi i aplikimit i “Adriatic Oil” është shtyrë për arsye politike dhe për shkak të privatizimit të kompanisë shtetërore së naftës, Albpetrol

Zona për kërkime nafte e gazi në det (Offshore Albania), në Adriatikun jugor, është një nga zonat më pak të eksploruara të shelfit të Mesdheut perëndimor, shton kompania. Vetëm gjashtë puse janë shpuar në një zonë me sipërfaqe prej 12.000 km katrore gjithsej.

Megjithatë, hidrokarbure janë zbuluar në katër nga gjashtë puset në ujërat shqiptare, dhe gjithashtu hidrokarbure ka dhe nën ujërat e Italisë së jugut dhe Mal të Zi në veri.

“Adriatic Oil” (ish- “Pelasgian Oil”) po mbikëqyr lëvizjet e bëra nga kompani të tjera dhe është në dijeni të aktivitetit të eksplorimit në rritje në Adriatikun jugor, u tha më 28 shkurt 2013 në selinë e kompanisë në Londër.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/