Angli, 3 korrik 2014 – Një llogaritar në Britaninë e Madhe, që u vodhi rreth 2.4 milionë sterlina viktimave të tij, mes tyre kishës ku shkonte dhe shkrimtarit të njohur Hanif Kureishi, është dënuar me tetë vite burg.

Adam Woricker, 41 vjeç, i shpenzoi paratë e vjedhura për një jetë luksoze.

Ai bleu një Audi Q7, një Mercedes dhe kaloi pushime në Stamboll, Marbella, Bangkok dhe në Shqipëri.

Sipas Essex Chronicle, Woricker shpenzoi shuma të mëdha për gruan e tij shqiptare, Florentina Blacku, me të cilën u martua në një ceremoni sekrete në vitin 2009, pa i treguar familjes së tij.

Por gazeta shkruan se martesa mbeti megjithatë e pakonsumuar.

Gjatë martesës së tyre, Blacku u kthye në Shqipëri tre herë dhe të tre herët erdhi sërish në Britani shtatzënë nga ish- i dashuri i saj.

Gjyqtari David Turner tha: “Duket se zonja Blacku po jetonte një jetë paralele në Shqipëri. Kjo është një ditë e trishtueshme dhe e turpshme për ty dhe shumë e dhimbshme për familjen tënde”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/