DURRËS, 3 shkurt 2014 –  E përditshmja angleze “Daily Star”, në numrin e së dielës, me një artikull të gjatë dhe të hollësishëm, trajton vjedhjen më të guximshme të bankave të kryer në Angli nga një bandë angleze-shqiptare në 21 shkurt 2006.

TË MASKUAR SI POLICË

Banditët, të maskuar si policë anglezë, morën peng menaxherin e “Securitas Depot” në Ton Brixh, distrikti i Kentit, zotin Dikson (52 vjeç) dhe familjen e tij. “Securitas Depot” shërbente si magazinë parash kesh për të furnizuar sportelet e bankave dhe automatet ATM të shpërndarjes së parave. Në këtë depo gjendej një sasi prej 203 milionë stërlinash para të thata. Duke përdorur drejtorin Dikson tashmë peng të tyre, banda dhe të maskuar si policë, hynë në depon super të sigurt. Hajdutët ishin  të armatosur me pistoleta, shotganë dhe kallashnikov model ASH 82, prodhim shqiptar. Ata neutralizuan 14 rojat e armatosura të depozitës. Ndonëse e mbushën plot një kamion renault, një veturë volvo dhe një vectra, banditët arritën të merrnin vetëm 53 milionë stërlina duke lënë në depo 150 milionë stërlina të tjera, sepse kamioni kishte kapacitet vetëm 7,5 tonë.

 

 MJETET

Për të ngarkuar automjetet, hajdutët përdorën karroca supermarketi dhe një lefterak me kapacitet të vogël. Shqiptarët kishin role kyçe në organizimin e vjedhjes së shekullit. Ermir Hysenaj, i punësuar në “Securitas Depot”, e ndihmoi bandën me filmime dhe skica të mjediseve të depos, ku ruheshin paratë, si edhe me të dhëna të tjera për sistemet e sigurisë, të mbrojtjes dhe të dhënies së alarmit në rast vjedhjeje. Informacioni i tij për muret rrethuese 4 metra të larta, për pengesat me tel me gjemba, për grilat dhe pengesat kundër-makinë me çelik special me lidhje titani si edhe për sistemin e kamerave me qark të mbyllur kishin shumë rëndësi për realizimin me sukses të grabitjes.

                                                                       GOMAT                                                                            

Goditja e shekullit u planifikua deri në detajet më të imta për gjatë një periudhe prej 18 muajsh. Tropojani Jetmir Buçpapa, 32 vjeç, mori pjesë aktive në grabitjen me armë. Madje, kur policia angleze tentoi të ndalonte volkswagen-in bitells, ku ishin ngarkuar 1,3 milion stërlina nga totali i 52 milionë stërlinave të vjedhura, ai u përpoq të ikte. Forcat special të policisë angleze e ndaluan makinën vetëm pasi shpuan gomat me breshëri plumbash. Pas shumë kërkimesh thuajse të gjithë pjesëtarët e bandës u kapën nga policia angleze. U gjetën miliona stërlina në vende të ndryshme si makina, shtëpi, garazhe, parukeri etj., të përdorura nga banditët si vende të sigurta strehimi.

DËNIMET

Fatkeqësisht sot e kësaj dite rreth 32 milionë stërlina kanë ngelur ende pa u zbuluar se ku kanë përfunduar. Nga gjithë banda vetëm “truri” i bandës Sean Lupton është ende në arrati. Policia angleze dyshon se fshihet në Qipron greke, dhe besohet se ka humbur një pjesë të parave të vjedhura gjatë krizës së bankave në Qipron greke në verën e vitit 2013. Shqiptari Ermir Hysenaj u dënua më shumë se gjithë pjesëtarët e tjerë të bandës: me 20 vjet burg. Anëtarët e tjerë të bandës, përfshirë edhe Jetmir Buçpapajn, u dënuan vetëm me 15 vjet burg secili.

/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/