15 qershor 2015 – Pjesa më e madhe e turistëve që kanë mbërritur këtë vit me kroçera në Durrës vijnë nga SHBA-ja dhe Britania.

Anija velier “Sea Cloud” është mjeti i tretë lundrues turistik që mbërrin në portin më të madh të vendit që nga fillimi i këtij sezoni dhe të dhënat e afruara nga agjencia pritëse dëshmojnë për një prani shumë të madhe të udhëtarëve me pasaporta amerikane.

Kroçera “Thomson Majesty” solli në qytetin bregdetar 1518 turistë gjithsej, 1410 prej të cilëve britanikë. Pjesa më e madhe e tyre vizituan në mënyrë të organizuar qytetet e Krujës dhe Tiranës, ndërsa një pjesë tjetër dolën në Durrës për vizita individuale në qendrat historike dhe arkeologjike të qytetit antik.

Ndërkaq, me anijen luksoze “Sea Cloud” javën e kaluar kanë mbërritur 49 shtetas amerikanë, ndërsa nesër priten edhe 46 të tjerë.

Gjatë këtij sezoni turistik, pritet të mbërrijnë në Durrës 11 kroçera me rreth 10 mijë udhëtarë gjithsej.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/