Një anije cisterne ka marrë flakë në Gjirin e Adenit, pranë Jemenit, pas një sulmi që pësoi, njoftoi ushtria britanike.
“Një anije u godit nga një projektil i panjohur, duke shkaktuar zjarr. Autoritetet po kryejnë hetime,”, tha Qendra e Operacioneve Tregtare Detare e Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO).
Kompania e sigurisë detare Ambrey deklaroi se komunikimet radio treguan që ekuipazhi i anijes me flamur Kameruni po përgatitej të braktiste anijen dhe po zhvillohej një operacion kërkimi dhe shpëtimi. Anija po udhëtonte nga porti Sohar në Oman drejt Xhibutit, shtoi kompania.
Ngjarja ndodh ndërsa Houthit e Jemenit, të lidhur me Iranin, kanë sulmuar anije në korridorin e Detit të Kuq që nga viti 2023, duke synuar anije që ata i konsiderojnë të lidhura me Izraelin, në mbështetje të palestinezëve.
Megjithatë, grupi nuk ka marrë përgjegjësi direkte për sulmin, edhe pse zakonisht u merr pak kohë për ta bërë këtë. Sulmet e Houthive kanë shqetësuar rrjedhën e tregtisë përmes Detit të Kuq dhe Kanalit të Suezit, një nga rrugët më të mëdha detare në botë.





