7 gusht 2015 –  Editimin e lajmit për bllokimin, më 6 gusht 2015, të anijes shqiptare të mallrave “Milton” në portin italian të Otrantos, “Dyrrah”-u e vonoi për të bërë verifikimet përkatëse në Drejtorinë e Përgjithshme Detare (DPD), Kapitanerinë e Përgjithshme të Porteve dhe Regjistrin Detar Shqiptar.

Por deri në orën 12:00 të datës 7 gusht 2013 askush nuk dinte për këtë fakt. DPD-ja i tha “Dyrrah”-ut se prisnin njoftim zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme që do të vinte në dijeni Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, kjo e fundit do të njoftonte DPD-në dhe Kapitanerinë e Përgjithshme, e cila do të lidhej kapitanerinë e portit të Shëngjinit.

Po kështu një zyrtar i Regjistrit Detar Shqiptar i konfirmoi “Dyrrah”-ut se nuk kishte dijeni për ndalimin e anijes.

Kapiteni i Përgjithshëm i Porteve është me leje. Zyra e oficerëve të shërbimit nuk mund të kontaktohet me telefon fiks të afishuar (0522/20018), kurse numrat celularë ndërrohen herë pas herë. Të kesh një hall, duhet të komunikosh me radio (VHF CH 15, CH 16). Madje, DPD-ja na orientoi të telefononim në kapitanerinë e portit të Shëngjinit, pasi anija “Milton” ka pronar jo më “Zotaj Shipping & Trading”, Durrës, por një lezhjan me kompaninë e quajtur “Milton” shpk. U orvatëm të lidhemi me kapitanerinë e portit të Shëngjinit me numrin e afishuar (028 122203), por rezultoi jashtë shërbimit. Mbetej të kontaktonim me radio që nuk e disponojmë (VHF CH 71 CH 16).

Shihet se administrata shqiptare detare është në “autobus”. DPD-ja, e ngarkuar të mbajë kontaktet e shtetit shqiptar me Organizatën Ndërkombëtare Detare (IMO), ende nuk ka bërë përditësimin e ndërrimit të pronësisë së anijes “Milton”, teksa zyrtarisht në IMO ekziston ende si armator dhe çarterues “Zotaj Shipping & Trading”, Durrës.

Po ashtu në DPD nuk dinin që “Milton” më 20 mars 2015 (4 muaj e ca më parë) është ndaluar për 10 ditë në portin italian të Ravenas (shih faksimilen e njoftimit të MOU Port State Control) për 25 mangësi të zbuluara. Përmendim se kjo anije është ndaluar në për katër ditë Otranto nga Roja Bregdetare më 4 janar 2011.

I vetmi konstatim i DPD-së është se sa më shumë “deficiencie” (të meta) të zbulohen në mjetet detare shqiptare, aq shumë kjo ndikon në koeficientin e renditjes në listat / e bardhë / gri / e zezë të flamurit. Në vitin 2014 Shqipëria doli nga “Black List” (Lista e Zezë) dhe hyri në “Grey List” (Lista gri), por në vendin 64, dy vende afër “Black List”-it (shih faksimilen)!

 /th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/