Deputeti i Durrësit Gazmir Bizhga ka reaguar në një prononcim për gazetën “Dyrrah“ në lidhje me rrezikun që paraqitet në zonën e Porto Romanos nga investimet të cilat nuk mund të kenë shkallën e mjaftueshme të sigurisë përsa i përket aksidenteve të mundshme në periferinë e qytetit bregdetar. Sipas Bizhgës anija e mbytur cisternë ishte vetëm një sinjal se ç`mund të ndodhë në këtë zonë dhe në Durrës nëse do të ndërtohen TEC-e qymyri apo nukleare me shkallë të lartë rrezikshmërie. Më tej Bizhga, veç aktualitetit në Durrës,,do të ndalej dhe në çështje që kanë të bëjnë me politikën e ditës…
Z Bizhga, çfarë shije ju ka lënë ngjarja e fundit ku një anije cisternë u mbyt në bregdetin e Durrësit?
Në fakt këtë ngjarje e kam përcjellë më shumë si qytetar i Durrësit se sa si politikan. Imagjinoni sikur kjo anije të kishte brenda në depo 3000 tonw benzinë që i kish shkarkuar vetëm disa orë më parë, se çfarë mund të kishte ndodhur. Një katastrofë e vërtetë do të kish ndodhur në bregdetin e Durrësit. Fatkeqësia u kufizua vetëm më vdekjen e tre anëtarëve të ekuipazhit, por nëse nafta do të ishte derdhur në det, katastrofa do të kishte pushtuar zonën. Natyrisht që fatkeqësi të tilla ndodhin, pasi një anije u mbyt dhe në Itali, por problemi që dua të ngre unë është çështja se sa të përgatitur jemi ne për të menaxhuar situata të tilla. Unë mendoj se shteti shqiptar është fare i papërgatitur për të përballuar situata emergjence. Kemi parë në të gjithë qytetet e vendit, përfshi dhe Durrësin, si menaxhohen keq raste emergjencash për paaftësi të njerëzve që janë emëruar politikisht apo për mungesa të bazës materiale. Nuk mund të flas me kompetencë për rastin e fundit të mbytjes së anijes, por di që anija u mbyt disa orë pasi i kish dalë tymi. Gjithsesi problemi që dua të ngre është akoma më i madh se kaq. Mos harrojmë se në zonën e Porto Romanos qeveria shqiptare ka plane për ndërtimin e TEC-eve me qymyr apo dhe nukleare. Imagjinoni se çfarë papërgjegjshmërie kur bëhet fjalë për një shtet që nuk menaxhon dot as zjarret e makinave apo banesave dhe jo më ato të përmasave të jashtëzakonshme. Si mund të garantohet siguria fizike e TEC-eve kur mungon përvoja, kur mungojnë specialistët pasi ata të zotët janë pushuar për motive politike, kur mungojnë strategjitë. Pa folur më pas për ndotjen e mjedisit dhe shëndetin e njerëzve që banojnë në këtë zonë. Mos harrojmë se bëhet fjalë për një zonë të banuar ku rreziku i ndotjes është shumë i lartë.
Ju keni qenë tepër kritik ndaj problemeve që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë. A nuk duhet që ta zbusni pak penën pasi nuk mund të thuhet se mungon rendi?
Kritikat e mia kanë pasur parasysh mos funksionimin e luftës kundër krimit të zakonshëm dhe atij ordiner. Mos i besoni statistikave që jepen për arrestime, ndalime apo shkatërrime të grupeve kriminale. Shikoni me kujdes se çfarë është bërë me ngjarje të tilla si ajo e 11 Janarit e cila prej një viti nuk është zbardhur, shikoni se çfarë është bërë për zbardhjen e vrasjes së deputetit Xhindi, shikoni se çfarë është bërë për dhjetëra e qindra ngjarje të rënda që kanë mbetur pa autor. Ndalemi në Durrës ku vitin e kaluar u regjistruan disa ngjarje të rënda, një pjesë e të cilave si ajo e vrasjes së basketbollistit Juxhin Guza apo djegia e oficerit të SHISh-it kanë mbetur pa zbuluar. Natyrisht që ka policë të thjeshtë që punojnë me përkushtim dhe devotshmëri, por peshku thonë se qelbet nga koka.
Si shpjegohet se jeni pak indiferent në lidhje me zhvillimet në bashkinë e Durrësit apo në Këshillin Bashkiak?
Jo se jam indiferent, por ngarkesa e madhe e punës është në parlament. Secili duhet të bëjë detyrën e tij. Gjithsesi mund të them se faturën e tensionimit të situatës në Këshillin Bashkiak të Durrësit e kanë këshilltarët e PD, të cilët duan t’i vënë shkopinj në rrota Bashkisë së Durrësit. Qytetarët shikojnë dhe kjo u përkthye me votë në zgjedhjet e fundit.
Edhe në fushatë, edhe tani dukeni larg z. Dako…
Në fushatë unë mbuloja zonën jashtë Bashkisë së Durrësit, kurse tani jam në Parlament. Me z.Dako kam marrëdhënie normale.
Z. Bizhga, a nuk ju duket se z. Dako de fakto drejton dhe partinë?
Unë mendoj se në PS dhe administratat ku drejton PS çdo njeri ka detyrën e tij. Z. Dako drejton bashkinë dhe kryetari i partisë drejton partinë.
Kemi parë në të gjithë qytetet e vendit, përfshi dhe Durrësin, si menaxhohen keq raste emergjencash për paaftësi të njerëzve që janë emëruar politikisht apo për mungesa të bazës materiale. Nuk mund të flas me kompetencë për rastin e fundit të mbytjes së anijes, por di që anija u mbyt disa orë pasi i kish dalë tymi
Çfarë ka ndryshuar në PS nga koha kur drejtonit ju?
Tani janë më të rinj, por jo më pak të përkushtuar.
Le ta lëmë pak Durrësin dhe të kalojmë te politika e Parlamentit. Si e vlerësoni debatin e hapur për presidentin?
Kreu i ardhshëm i shtetit që do të zgjidhet në Parlament në muajin Korrik, nuk duhet t’i shërbejë uzurpimit të institucioneve nga Kryeministri. Presidenti i Shqipërisë apo Presidenti i një republike parlamentare duhet të jetë një njeri, që duhet të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e të gjithëve. Mos të jetë pjesë e familjes kryeministrore, mos të jetë pjesë e klaneve qeveritare.
Cili do të jetë qëndrimi i opozitës për ligje të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar ku në rendin e ditës pritet të futen për diskutim ngritja e Gjykatës Administrative dhe Kodi Penal e ai Civil, që nuk janë miratuar ende?
Këto janë çështje që kanë problematikën e tyre konkrete përsa u përket neneve të caktuara apo frymës që ato përçojnë. Po punojmë për të afruar dhe kanë afruar propozime konkrete, do të jenë pjesë e diskutimeve parlamentare në komisione e pastaj në Parlament, për të miratuar jo vetëm ligje, sepse duhen miratuar me tre të pestat, por edhe ligje që do t’i shërbejnë forcimit të shtetit, pasi ligjet me tre të pestat nuk janë ligje për forcat politike, por janë ligje për forcimin e shtetit në Shqipëri.