Sikur ka bërë të ditur DurresLajm, në pasditen e 23 gushtit 2016, në ngushticën e Dardaneleve, janë përplasur anija për transport mallrash gjenerale “Guler” (tonazhi 2 421 tonë, në foto) dhe transportuesi i mallrave rinfuzo “Piri Reis” (tonazhi 28 515 tonë). Anijet pësuan dëmtime në pjesën nënujore, por pa rrezikuar fundosjen. Incidenti u është raportuar autoriteteve lokale dhe anijet u urdhëruan të hidhnin spirancat në portin e Erenkoj-it për riparime të mëtejshme dhe kontroll të veçantë. Për fat të mirë, gjatë aksidentit nuk ka pasur të plagosur dhe ndotje ujërash. Pas hetimit për shkaqet e aksidentit, anijet rifilluan lundrimin. Me 1 956 tonë në hambar me lidhje hekuri, më 26 gusht 2016, “Guler”-i, ishte rrugës për në Durrës, në detin Egje, në juglindje të Greqisë dhe parashikohej të mbërrinte në Durrës, më 28 gusht 2016, për t’u shkarkuar në kalatën nr. 1.

Por, sipas portaleve ndërkombëtare detare, më 28 gusht 2016, “Guler” pati një problem mekanik në detin Egje, në veriperëndim të ishullit grek Kea, ndërkohë që ishte rrugës për në portin e Durrësit. Anija u rimorkiua në portin të Lavrios dhe u ankorua aty. Anijes iu ndalua lundrimi deri në ndreqjen e dëmeve dhe të metave të tjera mekanike.

Edhe pse dispeçeria e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të personit juridik publik Autoriteti Portual Durrës ka dhënë edhe datën 1 shtator 2016 për mbërritjen e “Guler”-it në port, referuar të dhënave të agjencisë detare “Go Shipping Albania”, mjeti i brokeruar ndodhet ende në Lavrios të Greqisë. Nuk ka njoftime se kur do të zhbllokohet.