Anija ushtarake italiane “Libra” ka mbërritur këtë të premte në portin e Shëngjinit, duke sjellë në bordin e saj 40 emigrantë të jashtëligjshëm. Pasi të kalojnë procedurat e përshpejtuara në qendrën pritëse të Shëngjinit, emigrantët do të dërgohen menjëherë në Kampin e Gjadrit.
Zbarkimi i tyre ishte planifikuar për të enjten, por për arsye ende të paqarta u shty për 24 orë. Ky grup përbën kontingjentin e parë të azilkërkuesve të refuzuar, që do të strehohen në Gjadër, pas vendimit të qeverisë italiane për t’i ndryshuar funksionin këtij kampi nëpërmjet një dekreti më 28 mars.
Sipas mediave italiane, pas përfundimit të këtij misioni, anija “Libra” do të qëndrojë përgjithmonë në Shqipëri, pasi iu dhurua flotës ushtarake shqiptare nga marina italiane.