Anija me 40 emigrantë nga Italia ka mbërritur në Portin e Shëngjinit. Ata ishin parashikuar të mbërrinin një ditë më parë por u shty për ditën e sotme. Emigrantët do të strehohen në kampin e Gjadrit, e cila tashmë do të shërbejë si qendër riatdhesimi. Mjeti lundrues që ka sjellë emigrantët ditën e sotme i është dhuruar Shqipërisë nga qeveria italiane.
Emigrantët e ardhur sot janë shtetas të kombësive të ndryshme, të mbërritur në CPR të Brindizit, ditët e fundit dhe për të cilët qeveria italiane ka vendosur transferimin në kampin në Shqipëri. Vendimi erdhi pas miratimit të dekretit të 28 marsit, i cili lejon transferimin jo vetëm të azilkërkuesve të kapur në det, por edhe të migrantëve të parregullt, të cilëve komisioneri i policisë u ka dorëzuar dekretin e dëbimit dhe gjykata ka vendosur qëndrimin e tyre në qendrën e pritjes së azilkërkuesve.