Flotës së trageteve që lidhin portin e Durrësit me portet e vendit fqinjë Itali i është shtuar sot një mjet i ri lundrues.
Anija e “AF Mia”, në pronësi të kompanisë se lundrimit Adria Ferries është një traget modern, që ofron standarte të cilësisë së lartë për pasagjerë.
Trageti i ri nisi lundrimin pasditen e kësaj të hëne në linjën Durrës – Ankona dhe anasjelltas.
“Anija më e bukur, që ka ardhur ndonjëherë në Durrës”, e cilësoi atë Alberto Rossi, administratori i deleguar i kompanisë Adria Ferries.
Për të, por edhe për Mauro Maia-n, presidentin e shoqërisë Adria Ferries lidhjet e forta mes Italisë dhe Shqipërisë janë forcuar edhe më shumë, falë kjo dhe bashkëpunimit të sipërmarrjes mes dy vendeve.
“Shqipëria për mua është një pjesë e historisë së jetës sime. Çdo gjë që bëjmë këtu i ndjemë vërtetë”,- tha administratori Rossi.
“Zgjodhëm Shqipërinë shumë vite më parë dhe rezultoi një zgjedhje shumë e gjetur dhe fitimprurëse. Kompania jonë përbëhet nga njerëz shumë të zotë, që e kanë shumë për zemër kompaninë dhe japin më të mirën e tyre”,- deklaroi para të pranishmëve Maia.
E pranishme në ceremoninë e përurimit të mjetit lundrues, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen Delina Ibrahimaj e vuri theksin në investimet që qeveria Rama po realizon në infrastrukturën portuale.
Trageti i ri “AF Mia”, në aspektin teknik përfaqëson atë që kërkon tregu në ditët tona. Mjeti lundrues ka gjatësi rreth 200 metra, shpejtësi maksimale 25 nyje detare, mban mbi 1600 persona në bord, dhe është i pajisur me 240 kabina, 3 bare, vetë-shërbime, restorant, dyqane në bord etj.
Me blerjen e anijes AF Mia, Adria Ferries hedh një hap të ri drejt së ardhmes, duke konfirmuar përkushtimin e saj për të ofruar shërbime gjithnjë e më të sofistikuara për pasagjerët dhe për rrjedhojë duke kontribuar në rritjen ekonomike të Shqipërisë.
M.B.