Më 20 gusht 2018, anija mësimore me vela e forcave detare rumune u nis nga porti ushtarak i Konstancës, duke filluar lundrimin e dytë të saj mësimor ndërkombëtar, njoftoi zëdhënësi i Ministrisë rumune të Mbrojtjes.
Anija ka si destinacion të parë portin e Durrësit, ku do të arrijë pas lundrimit njëjavor. Gjithashtu, anija mësimore do të vizitojë sipas programit portet e Split-it (Kroaci) dhe Souda-s (Greqi).
Ekuipazhi i anijes përbëhet nga 182 persona, përfshirë 38 studentë të Akademisë Detare “Mirça çel Bëtrën” (Mircea cel Bătrân), 43 kursantë dhe 13 instruktorë nga Gjermania, si dhe 12 kursantë nga Bullgaria, Kina, Britania e Madhe, Polonia, Turqi dhe Ukraina.
Ndërkohë agjencia DyrrahSped ka bërë gati të gjitha procedurat për pritjen e anijes mësimore me vela dhe do ta asistojë përgjatë gjithë periudhës së qëndrimit në portin më të madh në vend.
Info
"Mirça" (rum. Mircea) është një barkë [barque, barc, ose bark] me tre direkë, e ndërtuar në vitin 1938 në kantierin detar të Hamburgut “Blohm und Voss” si një anije mësimore për forcat ushtarake-detare të Rumanisë. Projekti i "Mirça-s" bazohet në projektin e suksesshëm "Gorh Fok" (Gorch Fock).
Pas Luftës së Dytë Botërore, anija përkohësisht ndodhej në ish-BRSS, paskëtaj iu dorëzua Rumanisë. Në vitin 1966, anija bëri riparim kapital në kantierin “Blohm & Voss”.
Gjatësia e korpusit: 73.7 m
Gjatësia e përgjithshme: 82.1 m
Gjerësia: 12 m
Lartësia: 42 m
Zhytja: 5,2 m
Sipërfaqja e velave: 1800 m² (23 vela)
Shpejtësia: 10 nyja (afërsisht 19 km/orë)
Motori: 809 kW, dizel
Th.M.





