Një eksperiencë unike, që ndërthur në një simbiozë mjaft të veçantë detin, thellësitë nënujore dhe artin në të gjitha dimensionet e tij.

Është kjo çfarë ofron në bordin e saj dhe në pavionet e ngritura në kalatën nr.2 të portit të Durrësit anija muze”Art Explora”, e cila pasditen e enjtes hapi siparin e 12 ditëve të mbushura me aktivitete të larmishme artistiko-kulturore, të cilat i ofron falas për publikun e gjerë deri më datë 21 prill. Për këtë anije unikale në llojin e saj, ndalesa në Durrës është e para për këtë vit dhe qytetarët mund ta vizitojnë nga ora 11.00 deri më 20.00.

“Zhanret e artit janë bërë bashkë. Pra do të ketë performanca, konferenca, ekspozita imersive dhe digjitale, shfaqje filmash, instalacione të ndryshme, lexime poezish, koncerte, punëtori dhe ture të përshtatura për të gjithë llojet e publikut. Hyrja në bordin e anijes është pika kulminante e të gjithë festivalit. Çdo hapësirë në fund të ditës e kanë një ekspozitë artistike më vete. Programi përmban jo vetëm art, por edhe netë të mbushura me muzikë, ku njerëzit mund të vijnë të kërcejnë, të dëfrehen”,- deklaroi Konstandin Feshti, përfaqësuesi për mediat i “Art Explora Festival”.

Pavionet si ekspozita imersive “E tashme” apo ekspozita e artit bashkëkohor “Nën kaltërsi” ishin ndër më të vizituarat nga vendasit dhe të huajt.

Megjithëse kishte vetëm pak orë që anija dhe pavionet ishin hapur, të shumtë ishin ata që kishin udhëtuar nga larg për ta prekur nga afër këtë realitet sa konkret aq dhe virtual.

“Duket interesante. Isha shumë kuioze të shihja çfarë ofronte anija ‘Art Explora” dhe pavionet e saj. Këtu po shohim punime artistike mjaft cilësore”.

“Ishte mjaft interesante të dëgjoja muzikë gjatë kohës kur po vinim për tek anija, ndërsa kalonim pranë kontejnerëve. Tek kjo ekspozitë po shoh punime nga artistë të ndryshëm, disa më tërheqin shumë, disa më pak. Është mjaft e bukur të shohësh nga afër gjithë këtë’.

“Kemi parë vetëm pak gjëra deri më tani. Nuk jemi ngjitur ende në anije, por nga ajo çfarë shoh këtu më duket një iniciativë mjaft interesante. Kjo është hera e parë, që Art Explora Festival vjen në vendin tuaj dhe uroj ta shijoni këtë eksperiencë”,- thanë për “Durrës:Lajm” tre turiste nga Suedia, që ndodheshin prej pak ditësh në një vizitë turistike në Shqipëri.  

Krahas vizitorëve vendas dhe të huaj, në bordin e anijes “Art Explora” u ngjit edhe kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato dhe ambasadorja franceze Elisabeth Barsacq.

Nga pranvera 2024 deri në vjeshtë 2027, anija muze do të udhëtojë në 15 vende të Mesdheut, djep i qytetërimeve të mëdha dhe ndërthurjes së kulturave.

M.B.