Dje në mesditë në orën 14:00, oficeri i shërbimit i QNOD-it, major Gjon Dedgjoni mori një sinjal nga Kapitaneria e Portit Durrës se marinari Adush Kapxhiu i anijes “GENI”, me kapiten Besim Hajdarin ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore. Ndërkohë anija po peshkonte në ujërat neutrale, rreth 12 milje në perëndim të Kepit të Palit.

Menjëherë u nis në vendin e ngjarjes anija e gatshme “P-04”, me vendqëndrim në Kepin e Palit, e cila brenda 20 minutash mbërriti në koordinatat e caktuara. Ekuipazhi i P-04, me shpejtësi mori peshkatarin e sëmurë dhe e solli në vendbazimin e Kepit të Palit, ku mbasi iu dha ndihma e parë, u transportua në Spitalin Rajonal të Durrësit.

Peshkatari Adush Kapxhiu momentalisht ndodhet jashtë rrezikut. Ka pasur dhe raste të tjera kur anije të Rojës Bregdetare kanë ndihmuar peshkatarë në rrezik ose anije që kërkonin ndihmë.

Nga Shefqet Kërcelli