Prej dy ditësh ndodhet e ankoruar në portin e Durrësit dhe në bordin e saj ka 25 të rinj nga të gjitha brigjet e Mesdheut, përfshirë edhe vende të prekura nga konflikti, me një fokus të veçantë mbi “Sfidat e Migracionit”.
Anija – shkollë “Bel Espoir” (Shpresa e bukur) ka nisur një udhëtim 8-mujor nëpër Mesdhe, i frymëzuar nga mesazhet për paqe dhe dialog ndërkulturor, sidomos në këto kohëra të vështira për njerëzimin, ku një sërë konfliktesh të përgjakshme shkaktojnë viktima të pafajshme në vende të ndryshme.
Për imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Tiranës dhe Durrësit, ndalesa e kësaj anijeje në vendin tonë merr një kuptim të veçantë.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Takimeve të Mesdheut 2025, at Alexis Leproux theksoi gjatë fjalës së tij për mediat se falenderon Kishën Katolike në vendin tonë që hapi dyert për të mirëpritur këtë mision, që dëshmon më së miri atë që ekziston tashmë në Shqipëri, harmoninë fetare.
“Dje zhvilluam një takim të bukur me komunitetet e ndryshme fetare në Shqipëri; bektashinjtë, ortodoksët, myslimanët dhe katolikët. Diskutuam edhe për integrimin më gjithëpërfshirës të të gjithë komuniteteve në detin Mesdhe. E kuptojmë shumë mirë se Shqipëria, si qendër e Mesdheut, është një vend mjaft I bukur, është si një leksion historie, ku mund të ndërtojmë paqen mes të gjithë komuniteteve. Për këtë arsye zgjodhëm të vinim në Shqipëri gjatë këtij projekti që zgjat 8 muaj”.
Që nga 26 marsi i vitit 1993, “Bel Espoir” është shpallur monument kombëtar lundrues në Francë dhe vazhdon të lundrojë mes Karaibeve dhe brigjeve të Francës, si një anije shprese dhe ringritjeje për shumë të rinj.
Anija do të qëndrojë në portin e Durrësit deri më datë 6 gusht, për të vijuar më pas me itinerarin e saj drejt portit të radhës në Mesdhe.
M.B.





