DURRËS, 23 korrik 2013 – Tri javë para rokadës së drejtuesve të Autoritetit Portual Durrës (APD sha), për shkak të zgjedhjeve të 23 qershorit, më 12 gusht 2013, do të organizohet ankandi i hapur i shitjes së skrapit të mjeteve lundruese të mbytura në akuatoriumin e portit.
Më 22 korrik 2013 APD sha njoftonte se do të shesë me ankand më 12 gusht 2013, pak kohë para dorëzimit të menaxhmentit, ato që kanë mbetur nga anija e mallrave gjenerale 500-tonëshe “Lezha”, prodhim i vitit 1981 i ish-kantierit detar të Durrësit, rimorkiatori “Orikum”, po prodhim durrsak i vitit 1981, batipali.Bie në sy fakti që komisioni i ankandit nuk ka përcaktuar sasinë e skrapit, por vetëm vlerën fillestare prej 16 307 000 lekë.Kështu nuk bëhet transparent se me çfarë çmimi për njësi do të jepet ky skrap, ndryshe nga sa ndodh me specifikimet e hollësishme për ankandin e shitjes së vajrave dhe lubrifikanteve më 13 gusht 2013.
Info/
Anija për transport mallrash gjenerale “Lezha” është regjistruar në Organizatën Ndërkombëtare të Detare (IMO) me nr. 8835396, me flamur shqiptar, prodhim shqiptar i kantierit detar të Durrësit në vitin 1981 me kapacitet 500 tonë.
Ka punuar kryesisht në transport detar të brendshëm.
Në ngjarjet e marsit 1997 u mbyt anija 500 tonëshe “Lezha” gjë që vështirësoi mjaft manovrimin e trageteve dhe anijeve në akuatoriumin e portit.
Në vitin 1998, me fondin 2.2 milionë euro, u realizua pastrimi i sheshit të ish-NN Portit, nxjerrja e anijes ”Lezha” etj.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





