2 korrik 2015 – Ujërat e Dhërmiut dhe Himarës dje u mbuluan me vaj dhe naftë, duke alarmuar pushuesit, të cilët nuk u futën në det për t’u larë kur panë shtresat e vajit mbi sipërfaqe.
Kjo për shkak të hedhjes në mënyrë të papërgjegjshme të vajit dhe mbetjeve të tjera të karburanteve të anijeve dhe trageteve greke.
Sipas gazetës ‘Panorama’, kjo është hera e tretë brenda sezonit turistik kur anijet greke derdhin naftë dhe vaj në ujërat shqiptare. Për këtë situatë, pronarët e restoranteve në zonën e frekuentuar mendojnë se bëhet qëllimisht.
“Derdhja e vajrave dhe naftës në det bëhet qëllimisht në kohë të sezonit turistik për të ndotur detin tonë dhe për të larguar pushuesit nga zona bregdetare shqiptare”, tha një prej tyre.
Situata u normalizua vetëm në orët e vona të pasdites, kur dallgët e forta asimiluan vajrat. Ky është bërë fenomen shqetësues, ndaj banorët atje kërkojnë nga autoritetet që të merren masa.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





