Aktorja Anila Bisha ka depozituar një padi në Gjykatën Administrative kundër Këshillit të Ministrave, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe kompanisë Apel, lidhur me përdorimin e imazhit të saj në krijimin e asistentes virtuale “Diella”.

Sipas padisë, aktorja pretendon se figura e “Diellës” përfaqëson një avatar të rikrijuar mbi bazën e pamjes së saj fizike, duke cenuar të drejtat e saj mbi përdorimin e imazhit. Për këtë arsye, ajo ka kërkuar vendosjen e një mase sigurimi, me qëllim pezullimin e menjëhershëm të përdorimit të figurës deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Në argumentet e paraqitura në gjykatë, Bisha thekson se marrëveshja kontraktuale që kishte lidhur me kompaninë Aleat ishte e vlefshme deri më 31 dhjetor 2025 dhe parashikonte përdorimin e imazhit të saj vetëm për funksionin e asistentes virtuale në platformën shtetërore e-Albania. Sipas saj, kjo marrëveshje nuk autorizonte përdorimin e figurës për role të tjera publike apo për një personazh të identifikuar si “ministrja Diella”.

Çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata Administrative, e cila do të vendosë fillimisht mbi kërkesën për pezullimin e përdorimit të imazhit. Ndërkohë, rasti ka nxitur diskutime të gjera mbi kufijtë ligjorë të përdorimit të figurës personale, të drejtave të autorit dhe etikës në hapësirën digjitale.

“Ministrja Diella” u prezantua publikisht nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste më 11 shtator, si pjesë e kabinetit të ri qeveritar. Më pas, Rama deklaroi se Diella do të zhvillonte edhe “fëmijët” e saj virtualë, të cilët sipas tij do të zëvendësonin 83 deputetët e Partisë Socialiste.