Fillimet në një vend të huaj kanë qenë të vështira për shumicën e shqiptarëve. Natyrisht që dhe për artisten Anila Dekovelli Ciccone, e cila e ka filluar jetën në Itali nga zeroja, gjithçka ka qenë tepër e vështirë. Ajo mendon se çdo fillim është i vështirë sidomos për atë vetë, pasi nuk ishte mësuar kurrë të largohej nga shtëpia.

Ka qenë me të vërtetë një hap i madh, sepse do t’i ndryshonte përgjithmonë stilin e jetës. Anila është larguar nga Durrësi që prej 19 vitesh dhe pothuajse prej 17 vitesh jeton në Villamagna, provincëe Chietit nëAbruzzo. Është nënë e dy djemve 15 dhe 13 vjeç. Ka studiuar në liceun artistik “Jan Kukuzeli” Durrës dhe pikërisht aty nisi rruga e saj drejt artit. Ajo kujton shumë mirë natyrat e qeta që i shfaqte profesor Koçi Risilia në studion e tij. Ka qenë pikërisht ai që e ka zgjedhur në klasën e shtatë, për të frekuentuar kursin e vizatimit.

Për Anilën, kujtimi i punimeve të para është tepër i freskët. “Mezi prisja orën e mbasdites për të marrë rrugën me dosje në dorë drejt kësaj studioje ku takoheshim edhe me nxënës të tjerë të përzgjedhur. Më kujtohen fjalët e profesor Koçit, i cili na motivonte duke na kujtuar faktin që ne duhet të impenjoheshim shumë, sepse në Durrës do të hapej për herë të parë liceu artistik për pikturë, ashtu siç ishte hapur liceu “Jordan Misja” në Tiranë.

Ishte një motiv tepër i fuqishëm për mua, sepse isha mëse e bindur që familja ime nuk do të ishte dakort të më largonte në moshë të mitur nga shtëpia. Profesorët e mi më kanë ndihmuar gjithmonë dhe më kanë këshilluar që në këtë fushë, me punë të vazhdueshme, mund të arrija rezultatet e dëshiruara.

Më vonë miku im i vyer Nikolet Vasia më ka shtyrë të punoja sa më shumë, sidomos gjatë kohës që ndodhesha në Itali duhet të punoja për veten dhe sidomos të isha vetvetja në pikturën time, pa asnjë lloj interference të jashtme. Nikoleti më kujtonte gjithmonë faktin që askush nuk do të më thoshte se si duhet të pikturoja. Më në fund isha e lirë nga çdo paragjykim dhe skematizëm shkollor”,- thotë artistja.

Pikturat e Anilës

Piktura e Anilës transmeton jetë, sinqeritet, ngrohtësi, qetësi. Siç shprehet dhe vetë, ajo është gjithmonë në kërkim të ngjyrës së pastër dhe dritës. Kur pikturon, ajo dëshiron që piktura e saj të japë jetë në çdo kënd ku ajo shihet, qoftë në një galeri apo ekspozitë, sikundër edhe në një ambjent të ngrohtë familjar. Anila mendon se piktura e saj është e sinqertë ashtu siç janë edhe subjektet që pikturon. Natyra e qetë apo peisazhi janë miqtë e saj të përditshëm.

Miku im i vyer Nikolet Vasia më ka shtyrë të punoja sa më shumë. Gjatë kohës që ndodhesha në Itali duhet të punoja për veten dhe sidomos të isha vetvetja në pikturën time, pa asnjë lloj interference të jashtme. Nikoleti më kujtonte gjithmonë faktin që askush nuk do të më thoshte se si duhet të pikturoja. Më në fund isha e lirë nga çdo paragjykim dhe skematizëm shkollor

Ajo jeton mes tyre dhe janë pikërisht këto gjëra ispirimi i saj i përditshëm. Anila është ndër ato të paktat artiste, që kanë ekspozuar vetëm jashtë Shqipërisë. E pyetur sesi kanë qenë këto eksperienca për të ajo shprehet se: “Janë të shumtë artistët shqiptarë që gjenden nëpër vende të ndryshme të botës dhe sidomos në Itali. Janë emocione të pashpjegueshme me fjalë. Ti mendon se je e huaj, por shumë shpejt kupton që vendi ku ke vendosur të jetosh është me të vërtetë i mbushur me njerëz të mirë dhe të dashur që të përkrahin edhe pse për ty mund të jetë eksperienca e parë. Jam e lumtur për këtë, më japin kurajo që të besoj më shumë në artin tim, sado modest”.

Jeta e saj në Itali

U bënë shumë vite që Anila jeton dhe punon në Vilën Ciccone, e cila vetë piktores shpeshherë i është dukur si kështjella e Rozafës, e cila nuk mbaronte kurrë, ndërsa shpresonte se atë nuk do ta murosnin për të parë fundin e ndërtimit të saj. Vila Ciccone është një vilë në evolucion, Anila nuk beson se do të ketë mundësinë ta shikojë të përfunduar, por ajo e di mirë që ka hedhur themelet për një të ardhme më të mirë se e saja, për djemtë e saj.

Në këtë vilë Anila ka hapur një aktivitet “Bed and Breakfast” dhe si fillim ajo mendon se është një sadisfaksion për turistët. Këtë vilë e kanë vizituar vitin që shkoi shumë turistë nga Australia, të cilët kanë kaluar muaj tepër të këndshëm së bashku. Ajo thotë se turistët kanë filluar të prenotojnë pushime që tani për vitin e ardhshëm për miqtë e tyre.

Fakti që piktorja i ka personalizuar dhomat me afreske apo me dollape të pikturuara, i kanë dhomave dhe vilës në tërësi një pamje vërtet artistike, shije që është vlerësuar nga shumë vizitorë. Kjo mënyrë e të shprehurit të talentit të saj si piktore i jep në veçanti shumë kënaqësi si artiste. Mikpritja dhe harmonia për Anilën dhe të shoqin janë disa nga karakteristikat e familjes Ciccone. Siç shprehet dhe ajo vetë “japim shpirtin për të tjerët, sidomos  kur ata dinë të na respektojnë dhe të na vlerësojnë i kanë dyert gjithmonë të hapura nga ne”.

Anila thekson se është shumë e lidhur me Vilën Ciccone dhe dëshiron që atë të mos e gëzojnë vetëm ata që e ndërtuan, por edhe turistë që kanë dëshirë të jenë larg zhurmave dhe kaosit të qytetit qoftë dhe për një javë. Vila Ciccone për Anilën është investimi i një jete. Fillimisht e ka nisur i shoqi, i cili i ka dedikuar vitet më të bukura të rinisë së tij këtij projekti e më pas dhe ajo ka dhënë kontributin e saj.

Piktorja beson se një ditë fëmijët e saj, do të jenë krenarë për këtë investim që ata do t’u lënë. Ajo përkujdeset shumë për familjen, të cilën nuk e vë kurrë në vështirësi për asnjë lloj çmimi në fushën e artit, qoftë ai edhe ndër më të rëndësishmit. Për të familja është forca për të ecur në jetë.

Piktura e Anilës transmeton jetë, sinqeritet, ngrohtësi, qetësi. Ajo është gjithmonë në kërkim të ngjyrës së pastër dhe dritës. Kur pikturon, ajo dëshiron që piktura e saj të japë jetë në çdo kënd ku ajo shihet, qoftë në një galeri apo ekspozitë, sikundër edhe në një ambjent të ngrohtë familjar. Anila mendon se piktura e saj është e sinqertë ashtu siç janë edhe subjektet që pikturon. Natyra e qetë apo peisazhi janë miqtë e saj të përditshëm

Koleksioni i punimeve të Anilës në Vilën Ciccone është fryt i shumë viteve, është pagjumësi, lodhje, dëshirë, pasion, i cili e mban gjallë edhe atëherë kur ajo mendon se kjo botë është pak e mbrapshtë. Anila tashmë po përgatit dhe një galeri ku do të ekspozojë jo vetëm punimet e saj, por edhe të miqve të saj artistë.

Çmimet

Anila është vlerësuar me shumë çmime në Itali. Ajo ka marrë pjesë në disa konkurse. “Vlera e çmimit moral si dhe material është shumë e rëndësishme për një artist, që merr pjesë në kompeticione të ndryshme, sepse nuk i bën dëm askujt”,- shprehet ajo. Në vitin 2005, piktorja ka marrë pjesë në konkursin "Ngjyrat në kampin e golfit" në Miglianico, ku është nderuar me çmimin e katërt. Në shtator të vitit 2007, Shoqata Kulturore "Qyteti Mik" me sponsorizimin e Bashkisë së Chietit, organizoi për herë të parë konkursin kombëtar, ku Anila ishte e vetmja që u vlerësova me çmim special si përfaqësuese e artistëve në Abruzzo. 

Gjithashtu ajo ka zënë vendin e parë në konkursin në sitin Ëeb të Gigarte, dhe vendin e dytë në garën për çmimin Balthus. Ka zënë gjithashtu vendin e parë në garë në sitin Artantis me veprën "Dedicato a mamma Angela". Ka marrë pjesë në konkursin për trofeun Ndërkombëtare të Neë York 2009 , ku kanë qenë pjesëmarrës mbi 7000 artistë nga shumë vende të botës. Ajo jo vetëm që u pranua në konkurs, por u klasifikua tek 60 artistët e parë, gjë që i dha më pas mundësinë për një qenë pjesëmarrëse në konkursin kolektiv në Bruksel, por në të njëjtën kohë edhe për t’u botuar në disa katalogje arti si revista "Boe", "Avanguardie Artistiche ", në periodikën e artit të kulturës dhe të shkencave të Akademisë Marzocco të Firences.

Më 13 nëntor të 2010-ës është vlerësuar me çmimin Ndërkombëtar "L'Ercole di Brindisi" dhe u emërua “Ambasadore e Artit Mesdhetar", një prezantim kulturor artistik që u organizua me mbështetjen e Presidencës së Këshillit Rajonal të Puglias. E veçanta e këtij aktiviteti ishte fakti se arti dhe muzika, piktura dhe skulptura u takuan me teatrin, për të celebruar nën flamurin e Salentos këtë pasuri artistike të kësaj toke të mrekullueshme.

Më 18 dhjetor të 2010- ës në Teatrin G.Paisiello të Leçes, ajo u vlerësua me Çmimin Ndërkombëtar të Artit "David di Michelangelo 2010", një vlerësim i lartë, i cili i jepet personaliteteve të larta në botën e arteve të shkencës dhe të kulturës. Po atë mbrëmje iu dorëzua edhe një tjetër çmim, ai i të drejtave humane "Salvo D'Acquisto" dhe u emërua Mjeshtre e Merituar e Artit dhe titulli i nderit për vitin 2011. Më 29 janar të 2011- ës Akademia Ndërkombëtare "Il Marzocco" e vlerësoi Anilën me çmimin ndërkombëtar "GIORGIONE" me motivacionin “piktura e saj transmetonte dritë, ngjyrë dhe poezi”.

Festimi i pavarësisë në vilën Ciccone

Më datë 28 tetor në Vilën Ciccone u organizua një festë në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë. Sipas Anilës merita e këtij organizimi i shkon zonjës Tatjana Nikaj, e cila është presidente e ADI, Shoqatës së Gruas Emigrante. Anila fillimisht u ftua të merrte pjesë në një ekspozitë në Muzeun Barbella. 

Një ditë në bisedë e sipër Tatjana i tregon Anilës se dëshironte të organizonte një mbrëmje gala në njërin nga restorantet e Chietit, për të falenderuar autoritete të ndryshme, të cilët e ndihmuan në këtë projekt dhe sidomos Ambasadorin e Shqipërisë në Romë për pjesëmarrjen e tij në ekspozitë dhe sikundër edhe në koncertin që u zhvillua në Teatrin Marrucino. Në një bisedë telefonike, Tatjana i thotë Anilës se nuk do të ishte keq që kjo festë të organizohej në Vilën Ciccone.

Në këtë moment Anila nuk u tremb, sepse ajo është një tip që nuk tërhiqet kollaj, por shqetësimi i vetëm për të ishte fakti se ajo nuk e kishte akoma gati restorantin dhe kjo gjë e përballte me një seri vështirësish për të realizuar në një kohë shumë të shkurtër një event të tillë. Dhe sidomos me personalitete të rëndësishëm si ambasadori shqiptar në Romë apo kryebashkiaku i Kietit dhe ai i Villamagnes etj. Piktorja tregon se dëshira e të gjithë shqiptarëve pjesëmarrës në një festë të mrekullueshme të Villamagnes ka qenë një shtytje, e cila e bëri t’i vihej punës për të organizuar këtë darkë me 100 të ftuar.

Anila tregon se është e lumtur që kishte të ftuar ambasadorin Llesh Kola, për të cilin mendon se do të ishte fat nëse një pjesë e vogël e politikës shqiptare do të përfaqësohej nga personalitete të tilla. “Vetëm në këtë mënyrë gjërat mund të ndryshojnë për mirë”,- shprehet ajo. Ambasadori i Shqipërisë në Romë Llesh Kola është një njeri i mrekullueshëm, i dashur, kominikues me të gjithë dhe i thjeshtë, karakteristikë kjo e njerëzve të mëdhenj”.

E pyetur nëse ka në plan të ekspozojë në Shqipëri, apo në vendin e saj të lindjes Anila përgjigjet: “Akoma jo për momentin, por kjo nuk do të thotë që nuk do të ndodhë”. Këtë javë Anila është e ftuar në Teatrin e Operas dhe të Baletit në Tiranë për një event tepër të rëndësishëm që Albanian Excellence po organizon për të promovuar një libër ku përshkruhen 100 histori suksesi të 100 shqiptarëve nëpër botë në të gjitha fushat.

Gazetarja Flora Nikolla e ka kontaktuar dhe intervistuar gjithashtu ka shkuar dhe në shtëpinë e Anilës, për të realizuar një reportazh mbi jetën e Anilës si artiste, por edhe mbi anën njerëzore të saj. Anila është e lumtur, sepse për herë të parë pas 20 vitesh pune të palodhur dhe këmbëngulje, dikush po vlerëson punën e artistëve. Kjo gjë e bën të ndjehet krenare për të gjitha sakrificat që ka bërë në jetën e saj si emigrante. Anila është një nga përfaqësueset durrsake në këtë event.