25 korrik 2013 – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës këtë vit mbërrin në edicionin e tij të gjashtë, por ndryshe nga pesë edicionet e tjera këtë herë ai nuk do të jetë kompetitiv. Festivali është cilësuar nga personalitete të kinematografisë shqiptare dhe asaj të huaj si një ndër eventet më të rëndësishëm që zhvillohen në vendin tonë, aktivitet që deri më tani falë punës së madhe që bën ideatorja dhe drejtorja artistike e tij Anila Varfi ka qenë në vëmendjen e publikut. Por ashtu si dhe të tjerë aktivitete, edhe për këtë festival kaq të rëndësishëm nuk mungojnë vështirësitë financiare. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës eventi që për pesë vite ka sjellë yje të kinematografisë botërore në Shqipëri, këtë vit nuk ka suport financiar nga institucionet shtetërore, duke bërë që të vijë me një profil ndryshe, jo i konkurueshëm por me një program retrospektivë shumë interesant. Në intervistën dhënë për gazetën, drejtorja artistike e festivalit Anila Varfi pohon se ishin arsyet financiare që nuk bënë të mundur ftesën për të gjithë ata aktorë dhe regjisorë, që do të ishin konkurrentë, apo juritë e shumta që ka festivali. Duke folur për këtë festival që ka nisur para pesë vitesh, drejtorja artistike Anila Varfi tregon rrugën e vështirë dhe sakrificat për ta mbajtur gjallë këtë aktivitet, duke theksuar se në edicionin e 10-të të “Durrës Film Festival” ata shpresojnë që ai të jetë i futur në kategorinë A të festivaleve të filmit.

-Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës këtë vit mbërrin në edicionin e gjashtë, por nuk është në muajin gusht. Pse këtë vit ka një spostim kohor të organizmit të tij?

Edicioni i gjashtë i festivalit këtë vit ka një lëvizje në kohë, që do ti takojë vetëm këtij viti. Publiku është mësuar që festivalin ta ndjekë gjithmonë në verë, pasi ky festival lidhet ngushtësisht dhe me atë që quhet turizmi kulturor veror, duke e  kthyer Durrësin  në një arenë të mrekullueshme kinematografike, ku pushuesit takohen me kinemanë europiane dhe ballkanike në Durrës. Këtë vit festivali i filmit në Durrës do të zhvillohet nga datat 2 deri më 6 Tetor. Kjo zhvendosje në kohë do të sjellë dhe një profil ndryshe të këtij edicioni. Festivali, për shkak dhe të vështirësive financiare do të vij në një profil jo kompetitiv, por, duke pasur një program shumë të pasur interesant dhe me plot surpriza, që publiku do të njihet në ditët në vijim.

-Çfarë do të sjellë kjo lëvizje programore në festival?

Sjell një strukturë programore mjaft interesante me produksionet më në zë të kinemasë botërore dhe kombëtare. Në  program do të kemi në Seksionin Retrospektive fituesit në garën e 5 viteve të këtij festivali, ku kemi pasur prurje të mrekullueshme të kinemasë evropiane, ballkanike dhe asaj internacionale. Ne kemi hartuar një program retrospektiv, duke filluar që nga retrospektiva Kubrik, Milosh Forman, Francis Ford Coppola, Nuri Bilge Ceilan, etj, pra janë një mori tituj mjaft të dëshirueshëm për ti kundruar. Slogani i këtij edicioni i festivalit do të  jetë “Fuqia e Artit, ndryshon individin, ndryshon botën”. Pjesë e grilës programore do të jenë dhe filma me mesazhet e forta të bashkëjetesës qytetare. Mike nderi këtë vit do të jetë kinemaja izraelite. Do të jetë regjisorja Hilla Medalia, kandidate e dy çmimeve “Emy” me filmin e saj “Dancing In Jaffa” dhe koreografi me famë internacionale Pierre Dulaine një ndër emrat e të mëdhenj të koreografisë izraelite dhe botërore. Shikuesit tanë emrin e Pierre Dulaine e kanë hasur në filmin “Take the Lead” me aktorin Antonio Banderas. Ky artist do të jetë si i ftuar special në Durrës. Ky film do të jetë në program dhe do të diskutohet në seksionin “Tingujt e Muzikës”. Ky film ka një domethënien e madhe, që fuqia e artit mund të sjellë ndryshimin në jetët e gjithsecilit. Risi tjetër do të jetë dhe ndalesa në figura të kinemasë shqiptare si dhe në emra dhe figura të shquara të teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Në program do të ketë një vend të veçantë  kinemaja  Shqiptare dhe ajo Kosovare,  kinema që ndër vite ka qenë bashkudhëtare e festivalit.

-Përballë vështirësive financiare të festivalit, sa është vëmendja në kualitetin e tij?

Përballë kësaj kohe të vështirë, ne e gjetëm me vend që të vijojmë ta ruajmë këtë aset kinematografik. Duke u përpjekur që kualiteti programor dhe koherenca e këtij eventi të mos ndikohet nga vështirësitë, pasi një program shumë i mirë bën një festival të fortë. Kanë qenë vështirësitë financiare ato që na bënë të rimodelojmë profilin e këtij edicioni, duke e larguar garën nga programi. Janë arsyet financiare që nuk bëjnë të mundur ftesën për të gjithë ata aktorë dhe regjisorë, që do të ishin konkurrentë, apo juritë e shumta që ka festivali. Dhe për ta tejkaluar këtë situatë  të vështirë, për të mos mbetur në një hapësirë boshe “Durrës Film Festival” rikthehet duke gjetur vetveten në një pasqyrim ndryshe. Ata  pak të ftuar specialë, që do të vijnë janë falë mbështetjes së ambasadave përkatëse.

-Jeni ideatorja dhe drejtorja artistike e këtij eventi që këtë vit mbërrin në edicionin e gjashtë në Shqipëri. Përmendët vështirësitë financiare, të cilat kanë ndikuar në festival. Në cilat dyer keni trokitur këtë herë për mbështetje financiare?

Festivali i Durrësit është një krijesë që ka lindur nga një bashkëpunim mes QKK dhe Bashkisë së Durrësit. Vlen të ndaloj këtu për të theksuar se largpamësia dhe dashamirësia për artin e kryetarit z.Vangjush Dako e ka ndihmuar dhe i ka dhënë jetë këtij eventi. Bashkia Durrës ka qenë shtylla  kryesore që na ka mbështetur këtë udhë jo fort të lehtë të lindjes dhe rritjes së festivalit. Bashkia e Durrësit sërish na mbështet me të gjithë  infrastrukturën për festivalin, ndërkohë që ne mbetemi deri në minutat e fundit  në kërkim për të gjetur mbështetje financiare nga biznese apo edhe dashamirës të kinemasë.

-Ndër vite filma, regjisorë dhe aktorë të njohur të kinemasë botërore kanë qenë pjesë e festivalit. Kur e nisët këtë festival e kishit menduar që zhvillimi i tij do t’ju përballë me kaq shumë probleme?

E menduam të vështirë. Janë një grup profesionistësh të vërtetë, të cilët kanë qenë pranë në këto vështirësi që unë dua sërish ti falenderoj thellësisht nga zemra, Faleminderit! Në edicionin e parë kur sapo do të lindte festivali, në një takim me miq të huaj që ishin drejtues dhe organizatorë të festivaleve të ndryshëm, drejtoresha e festivalit polak, kujtoj që më tha: “edicioni i parë nuk është dhe aq i vështirë, ditë më të vështira do të vijnë sa më shumë do të rritet”. Vështirësia vjen me rritjen e pretendimeve që ka një festival, ku do ta çojmë atë. Edicioni i parë ishte emocioni i një eventi që sapo po lindte, por më pas u shtuan pretendimet, me objektivin e qartë për t'u bërë i konkurueshëm. Objektivat e “Durrës Film Festival” është të qenit i konkurueshëm në arenën e një platforme kinematografike, duke filluar me rajonin dhe më gjerë. Ne kemi vënë një objektiv afatgjatë, ku deri tani në 5 vjet arritëm të jemi një festival i identifikueshëm në profilin e tij, për më tej në edicionin e 10-të nga “Durrës Film Festival” ne presim që ai të jetë i listuar në kategorinë A të festivaleve të filmit.

-Çfarë mund të na thoni mbi qëndrimin e institucioneve shtetërore për festivalin. Mendoni se duhet të kishte pasur më shumë mbështetje financiare, dhe çfarë duhet të kishin menduar për politikat ndaj aktiviteteve të tilla në art dhe kulturë?

Gjej me vend të ndjehem me pak shpresë, kur këto ditë ne po ndjekim  dhe rikthimin e festivalit “Butrinti 2000”, me një eksperiencë të vyer 12 vjeçare. Kjo me bën të shpresoj se është një ogur i mirë. Për të eksportuar kulturë ne duhet të kemi së parmi një arenë se ku mund  ta shpalosim veten. Në këtë rast janë festivalet  ato jo vetëm për ato që e kryejnë këtë mision. Vijmë më pas tek pjesa tjetër, se sa vështirë është financiarisht. Ju pyesni të verbrin a don sy, dhe në këtë rast çdonjëri prej artistëve do të kërkonte  sy dhe veshë nga çdo institucion për t’u ndier i motivuar për të punuar, sepse një krijesë  artistike për të dhënë frytet e duhura duhet të ketë mbështetje financiare. Në këtë rast “Durrës Film Festival” gjen momentin për të thënë, që ndoshta në një moment të dytë politikëbërja e institucioneve kulturore të jetë më e strukturuar në objektivat e saj afatgjata.

-E quani një sakrificë të madhe punën për të mbajtur gjallë këtë festival?

Ka qenë një sakrificë shumë e madhe kur flasim për anën financiare. Por është fuqia e artit, që ka mbajtur stafin gjithmonë të motivuar duke besuar fort që e nesërmja do të  sjellë ndryshimin. Intervistoi:

 

(Burimi/Sot News)