Është vetëm 20 vjeçe dhe është anëtarja më e re në moshë e Këshillit Bashkiak Durrës. Angazhimin në strukturat partiake të Partisë së Lirisë e ka nisur që 16 vjeçe, ndërkohë që një vit më parë ishte vetë Ilir Meta, që e ftoi të bëhej pjesë e garës për një vend në Këshillin Bashkiak.
“E vlerësoj shumë që ai besoi tek unë dhe e dinte që unë do isha zëri i duhur për të rinjtë e Durrësit. Në momentin që hyra në sallën e Këshillit Bashkiak e kuptova që kam një përgjegjësi shumë të madhe për bashkëmoshatarët e mi dhe që duhet të punoj fort që zëri i tyre të dëgjohet këtu në bashki”,– tregon për “DurrësLajm” këshilltarja bashkiake Anisa Ibraj.
Megjithëse shumë e re në moshë, studentja e vitit të dytë për arkitekturë është ndjerë e mirëpritur mes kolegëve të saj në këshill.
“Të gjithë më kanë uruar si nga ana e këshilltarëve të PS-së, ashtu edhe nga ana e Partisë së Lirisë dhe opozitarëve të tjerë, që ditën e parë kur erdha në KB”.
Për Anisa Ibrajn, politika mbetet tani për tani pasioni më i madh. Por cilat janë gjërat që ajo vlerëson dhe nuk vlerëson tek të bërit politikë në vendin tonë?
“Ajo që më pëlqen është se gratë dhe të rinjtë janë më të përfshirë politikisht, sepse ju intereson politika. Ajo çfarë nuk më pëlqen është se jo të gjithë ata që janë të përfshirë politikisht e bëjnë punën e tyre siç duhet, pra nuk veprojnë në të mirë të interesit të përgjithshëm, por më shumë për interesa vetjake.”
Përgjatë 11 muajve si këshilltare bashkiake, Anisa nuk ka nguruar që shpesh të marrë fjalën apo dhe të debatojë për problematika të ndryshme të qytetit.
Për shkak të moshës së re dhe lidhjes së ngushtë me bashkëmoshatarët e saj, Anisa mbetet shumë e fokusuar tek problematikat e rinisë durrsake.
“Problemi kryesor tek gjimnazet është mësimi me dy turne, duke qenë se shumë shkolla po rindërtohen dhe procesi i rindërtimit ka pasur vonesa. Problem tjetër është ai i konvikteve dhe mensave studentore. Bibliotekat nuk kanë kushte infrastrukturore në universitete, ndërkohë që dhe transporti është një problem më vete”.
Studentja e arkitekturës e sheh veten në të ardhmen të realizuar në karrierë dhe me një ambicie shumë të madhe në politikë.
“E shoh veten si një urbaniste të suksesshme në të ardhmen, sigurisht krahas politikës. Veten e shoh si kryeministre. Ky është qëllimi im, të arrij në majat e politikës”,– thotë 20-vjeçarja.
M.B.